Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Turqi me ftesë të homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në kuadër të vizitës, në kryeqytetin Ankara do të mbahet takimi i tretë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi – Serbi.
Në mbledhjen e këshillit që do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave përkatës, do të shqyrtohen në të gjitha aspektet marrëdhëniet Turqi – Serbi dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh.
Gjithashtu do të shkëmbehen mendime për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, në radhë të parë në Ballkan, mbi bazën e të kuptuarit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.
Marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Serbisë kanë arritur nivelin më të mirë në histori, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës së tij në vendin ballkanik në gusht.
Ndryshe, Erdogan ishte dje në Shqipëri ku u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për t’i dorëzuar çelësat e banesave në Laç për banorët që mbetën pa to pas tërmetit tragjik, shkruan DailySabah.