Erdogan thirrje nga Kuvendi i Shqipërisë: Largoni FETO, rrezikoni të njëjtën gjë si Turqia

Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhet Tayip Erdogan, nga foltorja e Kuvendit, paralajmëroi se Shqipëria rrezikohet shumë nga organizata e FETO, e cila në vendin e tij konsiderohet terroriste.

Sipas Erdogan, shumë pjesëtarë të FETO fshihen në Shqipëri në institucione të ndryshme dhe kanë agjendë të fshehtë dhe nëse nuk merren masa mund të organizojnë në vendin tonë një grusht shteti ashtu si në Turqi, 5 vjet më parë.

“Lufta kundër organizatës terroriste Feto, e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi parlamentin, është një nga ndjeshmëritë tona. Fatkeqësisht shumë anëtarë të kësaj organizate vazhdojnë të jenë në Shqipëri dhe tregojnë ekzistencën e tyre në arsim, shëndetësi dhe institucionet fetare dhe në një pjesë të sektorit privat. Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe nëse është e hidhur.

Ashtu si në Turqi edhe këtu institucionet e lidhura me FETO kanë agjenda të fshehura, prandaj nuk duhet të keni dyshim se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrën e vërtetë. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri. Ne e kemi parë dhe kemi paguar një kosto të rëndë. Ne e shohim si detyrë që të paralajmërojmë miqtë tanë. Presim që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”, deklaroi Erdogan.

Erdogan: Na lëndon që organizata terroriste e Gulen gjen akoma vend në një vend mik e vëlla si Shqipëria
Presidenti turk, gjithashtu, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe rolin e Shqipërisë për stabilitetin në rajon. Erdogan premtoi se shumë shpejt për popullin shqiptar do të vihet në dispozicion dhe vaksina turke.

“Menjëherë pas shpalljes së Republikës së Turqisë është bërë një nga marrëveshjet e para me Shqipërinë dhe kjo marrëveshje quhet marrëveshja e përjetshme e miqësisë zbulon se marrëdhënia jonë nuk është mes shteteve, por edhe mes njerëzve dhe komuniteteve. Shqipëria është fqinji ynë në zemër, marrëdhëniet tona janë prej 6 shekujsh. Marrëveshjet e bashkëpunimit tonë i kanë rrënjët e thella dhe janë të palëkundura.

Ne i kemi ngritur marrëdhëniet tona. Ne do të vijojmë të kontribuojmë për paqen në vende tona dhe rajonin. Kur Turqia dhe Shqipëria të bashkojnë duart nuk do të ketë asnjë problem që nuk mund të zgjidhet. Për sa kohë ne mbrojmë vëllazërinë dhe qëllimet e përbashkëta dhe vendosmërinë për të çuar bashkëpunimit. Së bashku nuk do të lejojmë të prishë këtë panoramë të bukur. Krijimi i një mjedisi të përhershëm paqeje në Ballkan, sigurimi I marrëdhënieve paqësore janë prioritet i politikës turke. Ne ndjekim rolin kontruktiv që ka luajtur Shqipëria në Ballkan dhe për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, qoftë nga aleatët e NATO që kanë dhënë një kontribut. Roli i Shqipërisë në Ballkan ka qenë shumë konstruktiv. Dua të uroj Shqipërinë për anëtarësimin e përkohshëm në Këshillin e Përkohshme të OKB. Ne do të ndajmë përvojat gjatë kohës që kemi pasur këtë detyrë. Kombi turk qëndron pranë popullit shqiptar me të gjitha mundësitë. Turqia ishte vendi i parë që ofroi ndihmë për Shqipërinë pas tërmetit dhe gjatë pandemisë së koronavirusit. Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, shumë shpejt vaksina Turcovax do të vihet në dispozicion për vëllezërit shqiptar”, u shpreh Erdogan.