Turqia do t’i thotë “jo” hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO, deklaroi sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa përfaqësues të lartë të dy vendeve pritet të vizitojnë Turqinë për bisedime në ditët në vijim, raporton Anadolu Agency (AA).
Udhëheqësi turk përsëriti shqetësimet e sigurisë së Ankarasë në mes të kërkesës të Helsinkit dhe Stokholmit për anëtarësim në NATO, duke thënë se vendet nordike kanë strehuar anëtarë të grupeve “terroriste” siç i quan Turqia si YPG/PKK.
“Ne u thamë atyre, ne thamë se NATO është një organizatë e sigurisë, ne nuk mund të pranojmë ekzistencën e organizatave terroriste në një organizatë të tillë”, tha Erdoğan në një takim me një grup të rinjsh në kryeqytetin Ankara me rastin e Përkujtimit të Ataturkut dhe Ditës së Rinisë dhe Sportit.
“Sidomos Suedia është një bujtinë e vërtetë për terrorin”, tha ai, duke shtuar se Stokholmi gjithashtu kishte vendosur embargo armësh ndaj Turqisë.
Turqia, anëtare e kamotshme e NATO-s, ka shprehur kundërshtime ndaj kërkesave të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e YPG-së/PKK-së.
Përfaqësues të lartë të Finlandës dhe Suedisë do të vizitojnë Turqinë në ditët në vijim për të zhvilluar bisedime zyrtare në Ankara, ku do të diskutojnë proceset e pranimit të tyre.