Ne do t’i mësojmë Perëndimit se fyerja e vendeve të shenjta të muslimanëve nuk është liri e mendimit, tha të enjten presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke komentuar djegien e djeshme të një kopje të Kur’anit në Suedi, transmeton Anadolu.
Erdogan mori pjesë në festën e Kurban Bajramit me anëtarë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Stamboll dhe foli për ngjarjet aktuale. Ndër të tjera ai ka komentuar edhe incidentin e djeshëm të djegies së një kopje të Kur’anit në Stokholm, kryeqytetin e Suedisë.
“Ata që e bëjnë këtë krim, që e lejojnë nën petkun e lirisë së mendimit, që mbyllin sytë para kësaj poshtërsie, nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre. Ne do të reagojmë më fort derisa të zhvillohet një luftë vendimtare kundër organizatave terroriste dhe armiqve të Islamit”, tha Erdogan.
Ai nënvizoi se duhet ditur se Turqia nuk do t’i dorëzohet kurrë politikës së provokimit apo politikës së kërcënimit.
“Ne përfundimisht do t’u mësojmë monumenteve perëndimore të arrogancës se fyerja e vendeve të shenjta të muslimanëve nuk është liri e mendimit”, përfundoi Erdogan.
Të mërkurën, një person i identifikuar si Salwan Momika, me origjinë nga Iraku, i vuri zjarrin një kopje të Kur’anit nën mbrojtjen e policisë jashtë një xhamie në Stokholm.
Më 12 qershor, gjykata e apelit e Suedisë la në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kur’anit, duke vendosur se policia nuk kishte bazë ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kur’anit në fillim të këtij viti.