Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Ukraina e meriton të jetë anëtare e NATO-s.
Këtë qëndrim Erdogani e ka shprehur gjatë takimit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka vizituar Turqinë si pjesë të turneut evropian për të marrë përkrahje që Ukraina të anëtarësohet në NATO pas përfundimit të luftës me Rusinë.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka mbajtur lidhje të afërta me Ukrainën dhe Rusinë.
Këto lidhje i ka përdorur për të ndërmjetësuar marrëveshjen mes dy shteteve në luftë për transportin e grurit nga Ukraina.
Marrëveshja e tanishme pritet të skadojë më 17 korrik, por Erdogani shpreson se ajo do të vazhdohet.
Zelenskyy ka realizuar vizitën në kohën kur Turqia ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Erdogani ka akuzuar shtetin suedez se ka dështuar në ndjekjen e militantëve kurdë, të cilët Ankaraja i cilëson si kërcënim për sigurinë e saj.