Escobar fton Bashën në Washington: Pres me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me PD-në

Takimi i parë i zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar në Tiranë ka qenë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Një takim ‘i ngrohtë” siç u quajt nga vetë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor i cili zgjati për gati 60 minuta në selinë e PD-së.

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem në Tiranë. Është vizita ime e parë dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë” u shpreh diplomati Escobar.

Por për çfarë u diskutua?

Nga deklarata e shkurtër që Escobar bëri para gazetarëve u la të kuptohet se temë diskutimi ka qenë dhe shpallja e Sali Berishës “nongrata”. Nga ana e PD-së diplomatit të lartë amerikan i është shprehur dhe angazhimi për luftën kundër korrupsionit.

Escobar: ” Isha i lumtur që të takohesha me opozitën. Ata shprehën angazhimin e tyre ndaj NATO e Integrimit europian dhe luftës kundër korrupsionit. Ne jemi të kënaqur që jemi pjesë e kësaj me mbështetjen tonë kundër korrupsionit përfshirë dhe sanksionet.”

Ndërsa kreu i PD-së. Lulzim Basha i pyetur pas takimit nëse ishte diskutuar për shpalljen e zotit Berisha “non grata” në SHBA dhe në rast se zoti Escobar ka prova dhe do t’i paraqesi ato për institucionet e drejtësisë, u përgjigj: Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Perkushtim per luften kundër korrupsionit

Në kuadër të vizitës së tij që përkon dhe me Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit, Escobar vuri theksin dhe tek institucionet shtetërore dhe përkushtimin e tyre në këtë luftë. Madje një mesazh të tillë do ia përcjellë edhe kryeministrit Edi Rama pasditen e sotme.

“Për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe do të kërkoj përkushtim të fortë të institucioneve shqiptare. Pres me kënaqësi të zhvilloj bisedime të tjera këtë pasdite dhe vazhdimin e marrëdhënieve me PD.”

Ftesa në Washington

Duke u kthyer sërish në çështjet brenda PD-së, Escobar la të kuptojë se SHBA do të vijojë marrëdhënien me PD-në ndërsa i bëri dhe një ftesë Bashës.

“Pres me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me PD. Pres me kënaqësi ta takoj zotin Basha në Washington sa më shpejt të ketë mundësi”

Takimi i nisur rreth orës 11:50 minuta u mbyll rreth orës 12:50 në selinë e PD-së. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar shoqërohej nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Ndërsa Basha nga ana tjetër kishte në krah sekretarin e Përgjithshëm, Gazmend Bardhi dhe 4 nënkryetarët e partisë.