Hoxha Behar Mjekiqi i cili po dyshohet se rrahu të dashurën e tij E.J, njihet për deklarimet e tij kundër dhunës.
Ai gjatë një interviste kishte thënë se njeriu nuk mund ta justifikojë dhunën e ndodhur, me arsyetimin se nuk ishte vetvetja.
“Duhet mbajtur veten nën kontroll. Islami thotë nëse je shumë nervoz e je në kambë ulu, e nëse je ulë e nuk të kalon lëviz, nëse nuk kalon merr abdes, falu namaz. Na nuk i kemi këto rregulla, prej nervozës kalojmë në diçka tjetër pastaj justifikohemi nuk kam qenë vetvetja, por nuk është e vërtetë. Po të mos ishte vetvetja do të përfundoje në izolim e psikiatri, e jo me nejt në burg tu lu shah me thanë valla s’kam qenë vetëvetja”, deklaronte dikur Mjekiqi.
Sipas tij, gruaja është amanet dhe nuk duhet të rrahet e lëre më të vritet.
“Gruan e ke amanet e ka lind dikush e ka eduku, ty ta ka dhuru e ti e ke marrë atë në amanet. E ti një ditë e vran. Pse? Që s’ta ka la një tesh? Është e ndalume njeriu me ushtru dhunë. Vet profeti i ka ndihmu gruas vet. E ti gruan tënde po e merr si person i gradës dytë. Nuk është marre me i ndihmu grusë tande. Unë nuk besoj që ndodh dhunë për një kafe a për një tesh”.
Imami Behar Mjekiqi është denoncuar të mërkurën për dhunë ndaj të dashurës së tij, me inicialet E.J.
Kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq dyshohet se e ka larguar viktimën, me të cilën kishte lidhje dashurie, me dhunë nga shtëpia e tij në fshatin Mazgit. Dyshohet se e ka shtyrë, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka tërhequr atë zhagas drejt oborrit të shtëpisë.
Derisa e kishte nxjerrë me dhunë nga shtëpia, imami Mjekiqi ia kishte marrë telefonin viktimës E.J. duke i shkaktuar lëndime në të dy duart.
Për Mjekiqin raportohet se është i martuar dhe e ka një djal.