Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se letra që kryetarët e Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë e disa vendeve të tjera, ua kanë dërguar kryediplomatëve evropiano-amerikanë, ku i kërkohet që të kenë një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, e kanë vënë në presion të madh këtë të fundit.
“Nga ana tjetër, kemi Kremlinin, i cili përmes Zakharova-s dhe Lavrov-it forcon retorikën e tij ndaj rajonit dhe nuk duhet të anashkalojmë rusifikimin brutal të opinionit publik serb, i cili beson se Rusia po fiton dhe se Serbia duhet të shtyjë aspiratat përmes saj, siç dëshmojnë grafitet kur të kthehet ushtria në Kosovë” tha Biserko për mediumin malazez Pobjeda.
Po ashtu Biserko e ka kritikuar ministrin e mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cili një ditë më parë ka deklaruar Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë keq Serbisë duke njohur pavarësinë e Kosovës.
“Deklarata ekstreme e ministrit të mbrojtjes së Serbisë, është zëri i Moskës, por edhe pasojë e kritikave të Perëndimit ndaj Aleksandar Vuçiç-it, të cilat thuajse janë të përditshme”.
Ajo shpjegon se kritikat ndaj Shkupit dhe Podgoricës për shkak të njohjes së Kosovës nuk janë të reja, derisa ka shtuar se kërcënimi se këto dy vende do të përfundojnë si Ukraina, tregon se situata ka mundësi të përshkallëzohet.
“Kur kësaj i shtoni edhe ndërhyrjen e Beogradit në formimin e qeverisë, nuk do ta nënvlerësoja mundësinë që regjimi serb të bëjë diçka që mund të prishë rajonin. Ky është qëllimi i politikës ruse, e shihni se koha po ikën për Perëndimin sepse vitin e ardhshëm kemi zgjedhje në ShBA dhe është e sigurt që Moska dhe Beogradi do ta përdorin atë vakum për ta mbajtur rajonin në tension”, mendon Biserko.
Ky reagim i Biserkos vije pasi një ditë më parë Vuçeviç gjatë një interviste për televizionin pro qeveritar TV Pink ka kritikuar Podgoricën dhe Shkupin që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.
“Kanë bërë një gabim që e kanë promovuar Kosovën si shtet të pavarur. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake”, ka pretenduar ai.