Eskalon Vulinka, e quan gjyshe të çmendur Edita Tahirin që e përmendi luftën

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryenegociatores së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri

Gjatë ditës së sotme, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, deklaroi se nëse “Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën në kufijtë ekzistues, pra shtet të pavarur, do të kemi edhe luftë”.

E kjo deklaratë e Tahirit ka ngjallur reagime në Serbi.

Është ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ai i cili ka reaguar ashpër pas deklaratës së Tahirit, transmeton Lajmi.net.

Vulin ka ripërsëritur se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se sipas tij, kjo gjë nuk do të ndryshojë.

Madje Vulin ka shkuar edhe më tej dhe e ka ofenduar Tahirin, duke e quajtur “gjyshe të çmendur”.

“Tahiri nuk ka fëmijë të saj dhe për këtë arsye ajo deklaron aq lehtë për një luftë. Kur ajo ishte në detyrë, ajo nuk ishte vetëm, dhe tani, kur askush nuk kërkon asgjë, ajo është plotësisht e çmendur, “një gjyshe e çmendur”. Dhe për të gjithë ata që përdorin “gjyshen e çmendur”, për të thënë atë që nuk do të thonë me zë të lartë dhe dëshirojnë që në vazhdimësi ta shohin këtë, ju them qartë se nuk ka asnjë Kosovë të pavarur dhe pikë”, deklaroi Vulin.