EULEX thotë se bashkëpunuan me autoritetet serbe për disa raste

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar ndaj ish-gjyqtarit të këtij misioni, Malcolm Simmons, duke thënë se pretendimet se EULEX-i ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës tek autoritetet në Serbi nuk janë të vërteta.

Megjithatë në komunikatën e tyre zyrtare, EULEX e pranon që kanë bashkëpunuar me autoritetet e Serbisë për atë siç e thonë “për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës.

EULEX e pranon që ka ndarë dhe u ka dalë në ndihmë autoriteteve serbe, megjithatë thonë se këtë e kanë bërë në prani të prokurorëve të Kosovës dhe se bëhet fjalë për disa raste të krimeve të luftës.

Në komunikatë theksojnë se kjo ka ndodhur mes viteve 2014-2018, derisa potencojnë se kjo praktikë ishte ndërprerë gradualisht me ndryshimin e misionit e EULEX-it.

Komunikata e plotë:

Për sa i përket pretendimeve të fundit se Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u ka dorëzuar dosjet për krimet e luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë, Misioni dëshiron të theksojë se këto pretendime nuk janë të vërteta.

EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet hetimore dhe rastet.

Përgjatë mandatit ekzekutiv të EULEX-it, Misioni është përpjekur të siguronte përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Sidoqoftë, deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë.

Në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë por pa u kufizuar në autoritetet prokuroriale të Serbisë. Në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione dhe u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht.

Në të gjitha këto rrethana, bashkëpunimi me autoritetet serbe, i cili ka çuar në një gjykim të shkallës së parë ku nëntë të pandehur u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, ishte i bazuar në dispozitat përkatëse të kodit të aplikueshëm të procedurës penale të Kosovës si dhe legjislacionin për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar për çështjet penale.

Gjatë gjithë kësaj periudhe të bashkëpunimit, të gjitha dosjet origjinale të krimeve të luftës mbetën në posedim të EULEX-it, kurse ato më pas iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Më konkretisht, deri në dhjetor 2018, EULEX-i u dorëzoi autoriteteve të Kosovës 495 dosje të rasteve të policisë për krim të organizuar, 434 dosje të rasteve të policisë për krime lufte, dosje të rasteve të personave të zhdukur, dosje të rasteve gjyqësore të trajtuara vetëm nga EULEX-i dhe më shumë se 1.400 dosje të rasteve prokuroriale. Dosjet e rasteve prokuroriale përbëheshin nga rastet në proces, rastet të cilat ishin pushuar ose përfunduar, si dhe rastet të cilat ishin përfunduar dhe arkivuar nga EULEX-i. Shumica e këtyre dosjeve të rasteve kanë të bëjnë me krime lufte, krim të organizuar, korrupsion dhe krime të tjera të rënda.