Eurodeputetja franceze, Gëendoline Delbos-Corfield, ka thënë se Serbia duhet ta qartësojë pozicionin e saj ndaj Rusisë, derisa mosvendosjen e sanksioneve ndaj saj po e sheh si shumë të rrezikshme.
Delbos-Corfield tha se shqetësim tjetër i madh është se në Serbi janë shtuar zërat pro rusë.
“Është e papranueshme që presidenti Vuçiq të vazhdojë të përkëdhel Rusinë, ndërkohë që merr fondet e BE-së si pjesë e procesit të anëtarësimit. Qeveria e Serbisë ka dërguar një mesazh të rrezikshëm duke mos u rreshtuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”.
Por, ajo tha se në të njëjtën kohë, e dinë që shumica e serbëve janë kundër luftës dhe se shumë tashmë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër pushtimit të Ukrainës, duke shpërndarë një lajm të një proteste kundër luftës në Ukrainë.
Gjithashtu, eurodeputetja tha se para zgjedhjeve të 3 prillit, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme për Vuçiqin të përafrohet me vlerat e BE-së për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
“Së bashku me kolegët e mi të partisë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që ta bëjnë të qartë pozicionin e tyre ndaj Rusisë tani”.