“Kur bëhet fjalë për vendime që lidhen me Bashkimin Europian, ato merren nga vetë Bashkimi Europian, për Bashkimin Europian, përfshirë çështjet që lidhen me autonominë tonë ligjore, mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”. Kështu është shprehur një zëdhënës i Komisionit Europian, në reagimin e parë pas Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të publikuar nga administrata e Donald Trump.
Dokumenti amerikan rendit ndër “çështjet më serioze” për Europën jo vetëm politikat emigratore që, sipas tij, po transformojnë kontinentin dhe po nxisin tensione, por edhe aktivitetet e BE-së dhe organizmave të tjerë transnacionalë që, sipas Uashingtonit, “minojnë lirinë politike dhe sovranitetin kombëtar”. Në të përmenden gjithashtu “censura e fjalës së lirë, shtypja e opozitës politike, rënia e normave të lindshmërisë dhe humbja e identitetit kombëtar”. Strategjia vëren se zyrtarët amerikanë shpesh e kanë parë Evropën përmes lenteve të shpenzimeve të pamjaftueshme ushtarake dhe stanjacionit ekonomik.
Megjithatë, Komisioni Europian zgjedh t’i ulë tonet.
“Partneriteti transatlantik është unik dhe aleatët janë gjithmonë më të fortë së bashku”, theksoi zëdhënësi i Komisionit.
“Biem plotësisht dakord se Evropa mbetet strategjikisht dhe kulturalisht jetike për Shtetet e Bashkuara dhe se tregtia transatlantike është një nga shtyllat e ekonomisë globale dhe të prosperitetit amerikan. Për shumë vite, Evropa është mbështetur te SHBA-të për mbrojtjen, por vitet e fundit po forcohemi dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shtoi ai.
Ndërkohë, një sulm i ri ndaj BE-së erdhi nga miliarderi Elon Musk, i cili deklaroi se “Bashkimi Europian duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti t’u kthehet vendeve anëtare, që qeveritë të përfaqësojnë më mirë popujt e tyre”. Fjalët e tij vijnë në një moment ku marrëdhëniet mes tij dhe Brukselit janë të acaruara, pas gjobës prej 120 milionë eurosh që BE-ja i vendosi platformës X për shkelje të rregullave të Aktit të Shërbimeve Dixhitale.
Deklarata e Musk duket se reflekton edhe kursin e ri të administratës amerikane, që sipas shumë analistëve po shfaq distancim të hapur nga aleanca e vjetër transatlantike dhe një afrim me qeveritë sovraniste në Europë.
Reagimi më i ashpër erdhi nga Franca. Ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot, i dërgoi një paralajmërim të fortë Musk-ut dhe kritikëve të BE-së.
“Komuniteti ndërkombëtar reaksionar mund të bërtasë sa të dojë, por nuk do të na trembë. Transparenca është detyrim për platformat kryesore. Rregulli është i njëjtë për të gjithë. TikTok e ka pranuar, X e ka refuzuar. Komisioni ka vepruar me të drejtë. Dhe ky është vetëm fillimi”, tha ai.
Në krah të Musk qëndroi menjëherë kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili akuzoi Brukselin se përdor gjobat si armë politike.
“Kur burokratët e BE-së nuk fitojnë dot në debat, kthehen te gjobat. Europa ka nevojë për liri fjale, jo për zyrtarë të pa zgjedhur që vendosin se çfarë mund të lexojmë apo themi”, deklaroi ai. Orbán shkoi edhe më tej, duke pretenduar se “liderët europianë tashmë kanë vendosur: Europa do të shkojë drejt luftës”, dhe paralajmëroi se zgjedhjet në Hungari do të jenë vendimtare për shmangien e këtij skenari.
Për të qetësuar situatën doli në skenë përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas. Gjatë një konference në Doha, ajo u përpoq të minimizojë tensionet me administratën amerikane.
“Shtetet e Bashkuara mbeten aleati ynë kryesor. Natyrisht, nuk jemi gjithmonë dakord për çdo çështje, por parimet kryesore mbeten të pandryshuara. Ne jemi aleatë të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha ai.
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…