Familja e Bedri Rexhepit ka dalë me një reagim, pasi u konfirmua se mbetjet mortore që u gjetën në Novëbërdë, janë të të tij.
Në këtë reagim që një prej vëllezërve të Bedriut i ka dërguar Gazetës Express, thuhet se shpresa dhe dëshira e tyre e vetme në këtë moment është që “kriminelët të marrin dënimin e merituar”.
Tutje thuhet se “më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”.
“Si familje kemi pasur besim në institucionet tona dhe asnjëherë nuk kemi rreshtur së kërkuari Bedriun, megjithëse jeta e tij veqse kishte përfunduar më datën 8 prill 2021 nga dora e kriminele (Jeton dhe Nexhat Vllasaliu) të cilët tani janë në dorë të organeve të rendit. Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar. Njashtu, duam t’ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qellim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, thuhet në reagim.
Prokurori Armend Hamiti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi. Aktakuza është ngritur për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
Prokurori tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.
“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, ka deklaruar Hamiti.
Reagimi i plotë:
Të dashur bashkëqytetar të Republikës së Kosovës,
Pas identifikimit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ne, familja Rexhepi, sot jemi njoftuar nga organet përgjegjëse se mund ta tërheqim trupin e më të dashurit tone Bedri Rexhepi.
Si familje kemi pasur besim në institucionet tona dhe asnjëherë nuk kemi rreshtur së kërkuari Bedriun, megjithëse jeta e tij veqse kishte përfunduar më datën 8 prill 2021 nga dora e kriminele (Jeton dhe Nexhat Vllasaliu) të cilët tani janë në dorë të organeve të rendit. Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar.
Njashtu, duam t’ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qellim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar.
Ne si familje, lutemi që rasti i Bedriut të jetë i fundit ku në pabesi shuhet jeta e një të riu.
Duke qenë në dijeni rreth kompleksitetit të rastit, i falenderojme të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë (AKI-në, Policinë e Kosovës dhe prokurorin e rastit Armend Hamiti) për mundin, punën e madhe që kanë kryer dhe faktin që nuk ndaluan së qëndruari në krye të detyrës, deri në zbardhjen e rastit për fatin e Bedriut tonë.
Njëherit, duam të falenderojmë mediat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që na qëndruan dhe na përkrahën pa rezervë dhe pa ndërprerë gjatë gjithë kësaj periudhe shumë të rëndë për familjen tonë.
Ju njoftojmë se varrimi do të bëhet të enjten, 20 tetor 2022, në ora13:00 ( Me namazin e Drekës ) në varrezat e qytetit në Shtime.
Me respekt,
Familja Rexhepi