Federata e Futbollit e Serbisë i është drejtuar me letër UEFA-s për garat ilegale të saj në territorin e Kosovës. Letra i është drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, ndërsa është firmosur nga presidenti i federatës serbe, Dragan Gjajiq dhe sekretari i përgjithshëm, Jovan Shurbatoviq.
Por përmes letrës nuk është treguar realiteti në terren, përkatësisht fakti që garat e serbëve lokalë në Kosovë organizohen nga Federata e Futbollit e Serbisë. Dhjetë ditë më parë nisi e ashtuquajtura Ligë e Anamoravës, ku xhiron e parë e zhvilluan dhjetë ekipe të serbëve. Është kjo një prej ligave qarkore të Federatës së Futbollit të Serbisë, që në Kosova është ilegale. Pas fillimit të kësaj lige reagoi FFK-ja, ndërsa më pas Policia e Kosovës mori vendim që të ndalojë garat ilegale sportive në territorin e Kosovës. Xhiroja e dytë e të ashtuquajturës Ligë e Anamoravës, e planifikuar për të shtunën e të dielën, nuk u zhvillua. Federata e Futbollit e Serbisë ka premtuar përkrahje maksimale për të ashtuquajturën Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë dhe të hënën ka nisur letrën në UEFA. Letra natyrisht nuk paraqet realitetin. E ashtuquajtura Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Federatës së Futbollit të Serbisë. Në Kosovë funksionon ilegalisht.
“Me brengosje të madhe ju njoftojmë që autoritetet e përkohshme në Prishtinë në ditët e kaluara bënë presion ilegal dhe johuman në klubet e futbollit që kanë selinë në krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë dhe anëtarët e të cilave janë të nacionalitetit serb”, shkruan në letrën e Federatës së Futbollit të Serbisë. Federata e shtetit fqinj ka shkruar tutje se: “institucionet e përkohshme në Prishtinë frikësojnë futbollistët dhe punëtorët sportivë të nacionalitetit serb duke i ndaluar të ushtrojnë në stadiumet e tyre dhe të organizojnë gara të nivelit lokal. Këto kërcënime janë të natyrës që futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të klubeve u rrezikohet e drejta e njeriut për punë e po ashtu e drejta për marrje me futboll dhe liria për t’u shoqëruar në klube sportive”. Në letër nuk është shkruar që garat organizohen nga Federata e Futbollit të Serbisë, që është shkelja kryesore. Është përsëritur disa herë që garat janë lokale, pa u saktësuar se kush i organizon ato. Federata e Futbollit e Serbisë ka kërkuar nga UEFA që të marr masa për të ndaluar veprimet e autoriteteve të Kosovës.
Madje letra ka edhe dozë kërcënimi.
“Kërkojmë ndihmën tuaj pasi duam që me kohë të shmangim përshkallëzimin e problemit dhe eskalimin e dhunës eventuale që mund të provokohet nga veprimet ilegale të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, shkruan tutje në letër. Federata e Futbollit e Serbisë ka shkruar se do të qëndrojë në krah të serbëve në Kosovë dhe se nuk do të heq dorë nga mbrojtja e të drejtës për të stërvitur dhe për të luajtur futboll në komunitetin lokal. Në fakt FFK-ja dhe federatat tjera sportive kosovare vazhdimisht bëjnë përpjekje për të integruar komunitetin serb në sistemin sportiv të Kosovës. Por kjo është refuzuar vazhdimisht, ndërkohë që federatat sportive të Serbisë kanë shtrirë rrënjët në të gjitha pjesët e shtetit të Kosovës ku ka serbë. Letra drejtuar UEFA-s më shumë mund të jetë për konsum të brendshëm në Serbi se që mund të prodhojë ndonjë efekt.