Një automjet Ferrari është ndaluar me shpejtësi skëterrë në By-Passin e Fierit. Radari i Policisë Rrugore ka regjistruar shpejtësinë 231 km/h. Automjeti superluksoz drejtohej nga një 50-vjeçar nga Polonia me iniciale T.S.
Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se automjeti Ferrari është i shpallur në kërkim në Gjermani për mungesë siguracioni. Gjithashtu, 50-vjeçari i paraqiti policisë një patentë të falsifikuar.
Polaku u arrestua dhe akuzohet për përdorim të dokumenteve të falsifikuara, falsifikim i vulave, stampave ose formularëve. Gjithashtu, ai u gjobit me 80 mijë Lekë të reja për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni. Ndërsa automjeti Ferrari është sekuestruar.