Festa e ekzagjeruar, 3 të lënduar nga plumbat qorr, një 8-vjeçare rrezikon të humbë gishtat

Tre persona janë plagosur nga arma e zjarrit gjatë festimeve për Vitin e Ri. Në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë 15-vjeçare ndërsa raportohet se bëhet fjalë për lëndime nga plumbat qorr. Të gjitha këto raste janë pranuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Po ashtu, lëndime ka pasur edhe nga fishekzjarret, ku më së keqi e ka pësuar një 8-vjeçare, së cilës pritet t’i amputohen gishtat.

Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Ejup Govori tregoi në detaje për rastet e plagosjes me armë zjarri të cilat janë pranuar në këtë klinikë, raporton KosovaPress.

“Gjatë kujdestarisë të kësaj nate kemi pranuar tri raste me lëndime me armë zjarri, siç thanë ata, nuk dihet nga ju ka ardhur plumbi, ne i quajmë lëndime nga plumbat qorr. Lëndimet janë në ekstremitete të poshtme, mosha e të plagosurve është njëri 36-vjeçar, tjetri 26 dhe një vajzë 15-vjeçare. Kjo vajza 15-vjeçare është plagosur nga një plumb qorr, kur është bërë rentgeni është evidentuar edhe predha në ekstremitet, është trajtuar nga ortopedi edhe predha është nxjerrë nga ekstremiteti. Gjendja e tyre është stabile dhe mundësisht disa lirohem dhe njëri prej tyre pranohet, sipas të gjitha gjasave kjo vajza 15-vjeçare duhet të pranohet për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Govori.

Doktor Gavori tha se kanë pranuar edhe raste të lëndimeve me mjete prioteknike dhe disa prej tyre janë të rënda.

“Ndërsa mjetet piroteknike i kemi gjithsej nga ora 19:00 kur ka filluar ndërrimi i natës, kemi pranuar 11 raste të lëndimeve me mjete piroteknike, kryesisht lëndime në ekstremitete të sipërme dhe lokalizimi është në shuplaka të dorës, ka raste të cilat janë lëndime serioze, ku duhet të amputohen apo t’u hiqen gishtat, sepse është lëndimi shumë serioz, ndërsa disa raste të tjera ka nga këto mjeke piroteknike fishekzjarre te cilët lëndimet janë në fytyrë, lëndimet nuk janë serioze por sipërfaqësore, këto raste lirohem pas trajtimit të plagëve besoj lirohen në shtëpi”, tha ai.