Edicioni i 94-t i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Oscar”, zuri vend të dielën mbrëma në teatrin “Dolby” në Hollywood.
Filmi “CODA”, një dramë me buxhet relativisht të ulët që dikur konsiderohej si një projekt me gjasa të vogla për t’u shpërblyer, u shpall “Filmi më i mirë” si dhe u bë filmi i parë i shpërndarë nga një platformë digjitale që e fitoi shpërblimin kryesor të Hollywoodit. “Coda” flet për një familje shurdhmemecësh, me përjashtmin të vajzës së quajtur Ruby, e cila dëshiron ta ndjekë ëndrrën e saj për t’u bërë këngëtare.
Filmi i cili fitoi më së shumti trofe gjatë mbrëmjes ishte “Dune”, që u shpërblye në gjithsej gjashtë kategori, raportoi të hënën “The New York Times”.
Çmimi “Regjisori më i mirë” shkoi për regjisoren nga Zelanda e Re, Jane Campion, e cila u nderua për punën në filmin më të nominuar të këtij edicioni, “The Power of the Dog”.
Fitorja e Campionit ishte e rëndësishme për historinë e ceremonisë “Oscar”, pasi për të dytin vit me radhë në kategorinë kryesisht të dominuar nga burrat, “Regjisori më i mirë”, triumfoi një grua. Vitin e kaluar këtë shpërblim e fitoi regjisorja, Chloé Zhao, për filmin “Nomadland”.
Campion po ashtu është gruaja e parë e nominuar dy herë në këtë kategori.
Aktori Will Smith po ashtu arriti ta fitojë çmimin më të rëndësishëm të karrierës, “Aktori më i mirë”, për performancën e shkëlqyer në filmin biografik “King Richard”. Jessica Chestain triumfoi në kategorinë “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “The Eyes of Tammy Faye”, duke e mundur një konkurrencë të fortë të përbërë nga aktoret: Nicole Kidman, Penelope Cruz, Olivia Colman dhe Kristen Stewart.
Çmimi “Aktorja më e mirë në rol dytësor” shkoi për aktoren e filmit “West Side Story”, Ariana DeBose, e cila u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe homoseksuale që fiton “Oscar” për aktrim. Aktori i filmit “CODA”, Troy Kotsur, u nderua me çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor”. Ai është personi i dytë shurdhmemec që fiton çmim “Oscar” për aktrim.
Ashtu siç ishte parashikuar, Billie Eilish dhe vëllai i saj, Finneas, e fituan çmimin “Kënga më e mirë origjinale”, për kolonën zanore të filmit me agjentin James Bond”, “No Time To Die”.
Projekti filmik nga Japonia, “Drive My Car”, u shpall “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, kategori kjo ku të gjithë po prisnim që të nominohej edhe filmi kosovar, “Hive”, i regjisores Blerta Basholli.
Me çmimin “Filmi më i mirë i animuar” u nderua filmi “Encanto”. Filmi i regjisori Kenneth Branagh, “Belfast”, u shpërblye në kategorinë “Skenari më i mirë origjinal”, kurse “CODA” e fitoi shpërblimin “Skenari më i mirë i adaptuar”.