Fjalimi i Handke në varrimin e Millosheviçit

Ky është varrimi i Sllobodan Millosheviç. Me respekt ftohet shkrimtari austriak Peter Handke, që të mbaj fjalimin. Jo pak e ka vajtuar fituesi i çmimit Nobel për këtë vit në Letërsi.

“Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka mbi Jugosllavinë dhe Serbinë. Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka për Sllobodan Millosheviçin. E ashtuquajtura botë di gjithçka mbi të vërtetën…Unë nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Dëgjoj. Ndjej. Më kujtohet. Andaj jam sot këtu, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviçit”.

Kjo afërsi e tij kishte ardhur që prej kohësh kur besonte se bota ishte e padrejtë ndaj serbëve, e sidomos shtypi perëndimor. Ndarja e Nobelit shkaktoi reagime pasi u konsiderua e padrejtë dhënia e çmimit më të lartë për një autor që mbështeste kreun e Serbisë, nga veprat e të cilëve plagët ende nuk janë shëruar.

Në këtë kënd çdo ditë prej vitesh rri një grup shkrimtarësh, artistësh e gazetarësh që Hanken e mbajnë mend mirë. Filip David, një prej shkrimtarëve më të famshëm të Beogradit, e ka të vështirë të thotë gjë për kolegun austriak. Si stil shkrimtari nuk i pëlqen, por i kupton ata që e duan. Thellësisht i zhgënjyer shfaqet David kur përmendet emri i austriakut.

“Kundër nesh që kemi qenë kundër politikës së Millosheviç, ai këtë politikë e ka përkrahur. Kjo ka qenë një politikë e kobshme dhe e dëmshme për Serbinë, një politikë nacionaliste. Ka qenë në varrimin e Millosheviç dhe dikur ka shkruar një pamflet ku ai sqaronte se si ishin të lumtur pensionistët që kishin nga një markë pensionet dhe se si krijohej empati nga shitësit dhe blerësit e karburantit me bidona. Lavdëronte një diçka që për ne nënkuptonte varfëri totale”.

Ky lajm ka ndarë edhe miqtë. Linja e hollë është në mes të veprës dhe karakterit jashtë kopertinave. Gjykimi duket më i vështirë nëse tentohet të ndahet vepra nga autori.

Noviça Milliç ka qenë prej vitesh profesor i letërsisë botërore në universitet. E kujton një nga takimet e tij në qendër të Prishtinës pak vite para luftës, pasi Handke botohej nga shtëpitë botuese të serbëve të Kosovës. Milliç e quan si shkrimtarin më të mirë të botës që meriton çmimin, megjithatë:

“Unë i kam thënë kur kam patur rastin atij. Handke del të jetë naiv, jo shumë i informuar dhe ka patur vlerësime të gabuara edhe për Millosheviçin dhe për rënien e Jugosllavisë. Ai është vetëm një rast tjetër i një shkrimtari të mrekullueshëm që është dështim total politik. Ka pasur raste dhe më parë dhe nuk më befason për Handken”.

Ndarjen e çmimit disa e kanë pritur me gëzim e disa trishtë në rajon, pasi i urryer pas dashurisë ndaj Millosheviçit, nuk dukej i pranueshëm. Për një pjesë të serbëve kjo ka qenë lumturi. Autori austriak padyshim që kishte zgjedhur anë dhe vuajtja e tij për Jugosllavinë duket edhe në autorësinë e tij që quhet; “ndarja e ëndërrimtarit nga toka e humbur”.