Fjalimi hipokrit i Abazoviçit në Kuvend: Më urreni veç pse jam pjesëtar i pakicës (shqiptar)

Kryeministri i Malit të Zi. Dritan Abazoviç, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Parlamentin malazez, ku pritet të votohet mocioni i mosbesimit i paraqitur nga disa parti opozitare, por që ka mbështetjen edhe të partisë së Milo Gjukanoviç, DPS.

Abazoviç iu ka thënë deputetëve se që nga dita e parë ata e kanë urrejtur vetëm për një fakt: “se jam pjesëtar i pakicës, shqiptar”.

Abazoviç shtoi se nuk është ofenduar dhe as nuk është i prekur nga fushata kundër tij e udhëhequr nga DPS dhe “një pjesë e medias që ka notë fashiste dhe urren vetëm një gjë”.

“Që nga dita e parë i pengon që jam pjesëtar i një kombi pakicë… Jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbroj interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruaj kursin e politikës së jashtme”, deklaroi ai.

“Sot ndoshta bashkoheni të gjithë në urrejtje. Herën tjetër bashkohuni në dashuri. Le të flasim për gjëra reale jo halucinacione. Pres me padurim diskutimin e sotëm dhe përpjekjen për të shpjeguar pse erdhi iniciativa, kush është frymëzimi dhe çfarë fshihet pas saj”.

“Dhe pas saj nuk qëndron as rruga evropiane, as dëshira për të ngatërruar kartat politike. Duhet të ndalet Mali i Zi në rrugën e transformimit në mënyrë që të strukturat mund të rifitojnë pozicionet e tyre financiare që u kanë shpëtuar ose janë në gjendje të mirë për t’i shpëtuar. Për këtë do të flas më poshtë, me emra dhe mbiemra”.

Abazoviç shtoi se “Qeveria do të bjerë, por sot do të prezantohen disa fakte që të shihni se si krimi i organizuar, karteli i drogës dhe kontrabandistët e cigareve e komandojnë këtë vend për 30 vjet”.

Ai shtoi edhe se si DPS nuk ka lejuar zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

“Me vendimin e Kryesisë së DPS-së për të ndërprerë mbështetjen e Qeverisë pasi vendosi Marrëveshjen Themelore në seancë, ju e zhvendosët fokusin nga zgjidhja e problemit në atë nëse qeveria ka besimin e shumicës… Plus thatë, përmes analistëve të paguar dhe njerëz që shkaktojnë histerinë, se do të kishte luftë civile po të nënshkruhej Marrëveshja me Kishën Ortodokse.Sot duhet të thoni a ka ndodhur?”.

Pse po bëhet mocioni i mosbesimit për qeverinë e Abazoviç?

Disa parti opozitare në Mal të Zi paraqitën një mocion mosbesimi pasi Abazoviç, pasi pa njoftim paraprak, nënshkroi Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe në Podgoricë në fillim të gushtit.

Në sqarim e tyre thuhet se Qeveria ka pasur detyrë prioritare që të krijojë parakushtet për intensifikimin e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, bazuar në reformat e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Një pjesë e partive nuk kanë qëndrim të qartë.

Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, pro-serb dhe pro-rus, Demokratët e Alleksa Beçiqit, Partia Boshnjake dhe as një pjesë e partive kombëtare shqiptare, nuk kanë qëndrim të qartë rreth nismës për rrëzimin e Qeverisë.

Një pjesë e votave të tyre – të paktën pesë – nevojiten për rrëzimin e Qeverisë.

Vetë kryeministri Abazoviç, nuk ka mundur të deklarojë me siguri nëse Qeveria do të mbijetojë apo do të rrëzohet në këtë seancë parlamentare.

Ai vazhdimisht ka paralajmëruar se nëse Qeveria “i mbijeton votës”, është i gatshëm që të nesërmen të rindërtojë Qeverinë, në marrëveshje me Frontin Demokratik, që aktualisht është në opozitë, si dhe me demokratët e partitë tjera që duan të përfshihen në udhëheqësi.