Flet mërgimtari, në kufi u dënua me 1000 euro për 8 kg djathë

Mërgimtarët që po kthehen në Perëndim po presin deri në tetë orë në kufirin Serbi-Kroaci. Ata që po marrin produkte ushqimore po u ndodh të dënohen me gjoba të larta në kufirin kroat. Ata u bëjnë thirrje bashkë-atdhetarëve të tjerë që të kenë kujdes që të mos marrin me vete produkte të mishit dhe të qumështit brenda mjeteve personale të transportit pasi që mund të kalojnë në të njëjtën situatë.

Nazmi Berisha nga Rahoveci me banim në Gjermani thotë se policia kroate e ka dënuar me 1000 euro gjobë për tetë kilogramë djathë.

“Tetë kg djathë i kam pas, ma kanë marrë pasaportën dhe dokumentet e kerrit dhe më thanë me prit. Tre orë kam prit. Pas 3 ore më kanë thirr brenda, më kanë kërcënuar pak se kanë me më çu në burg”, shpjegon ai për RTK-në.

“Kur kam shku me pagu dënimin e kam paguar 1040 euro për 8 kg djathë”, tha ai.

Ndonëse sipas rregullave ndalohet bartja e mishit dhe produkteve të qumështit brenda mjeteve personale të transportit, Nazmiu thotë se gjobat për këto produkte janë tepër të larta dhe të pashpjegueshme.

“I kisha lut edhe tjerët, mos të gabojnë me marrë se shumë dënime ekstreme”, tha Berisha.