Pas sulmit të së martës ndaj Policisë së Kosovës në Zupç të Zubin Potokut, janë shtuar forcat e Policisë në veri.
Në Lagjen e Boshnjakëve raportohet nga banorët se janë bllokuar rrugët, derisa përmes fotografive të dërguara shihen edhe automjete të blinduara.
Forca të shtuara të Policisë ka edhe në Zupç, aty ku ka ndodhur sulmi në orët e mëngjesit të ditës së martë.
Në orët e para të mëngjesit të së martës një automjet i Policisë është sulmuar me armë zjarri.
Sipas Policisë, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Në fakt, ky nuk është sulmi i parë ndaj Policisë në veri të vendit. Më 15 prill u sulmuan dy vetura të Policisë së Kosovës që po bartnin zyrtarët policorë për në pikat kufitare në veri. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sulmi kishte ndodhur me granatë dore dhe armë AK-47. Një sulm kishte ndodhur edhe një më ditë më pas, në Sharpej të Jarinjës.