Forcat ukrainase kanë rimarrë lartësitë mbi Bakhmut dhe po rrethojnë me sukses trupat ruse në qytet. Lajmi është raportuar nga britanikja “Guardian”, e cila citon Ministrinë e Mbrojtjes në Kiev.
Zv. Ministrja Hanna Maliar paralajmëroi gjithashtu për një situatë “makthi” më në veri pasi 12,000 civilë në rajonin e Kharkiv u urdhëruan të evakuoheshin.
Në një intervistë për “Guardian”, Maliar tha se ushtarët rusë nuk mund të lëviznin më rreth Bakhmutit në rajonin lindor të Donetskut dhe se po bëhej përparim në largimin e forcave armike pas disa muajsh beteje vdekjeprurëse.
Ajo pretendoi se Rusia kishte kërkuar të tërhiqte njësitë e tyre luftarake duke sulmuar zonat e rajonit të Kharkiv të çliruar nga pushtimi rus shtatorin e kaluar.
Të enjten, autoritetet ukrainase urdhëruan një evakuim të detyrueshëm të mijëra civilëve nga 37 qytete dhe fshatra në rrethin Kupiansk, i cili shtrihet në veri të Bakhmut.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi për një tjetër sulm rus në Zhaporzhia, ku për pasojë një person mbeti i vdekur.
“Zaporizhzhia. Qyteti vuan nga bombardimet e përditshme ruse. Një zjarr shpërtheu në një ndërtesë civile pasi banorët e goditën atë me një raketë. Deri më tani, një person është raportuar i vdekur”, shkroi ai.
Ndërkaq Presidenti amerikan Joe Biden do t’i kërkojë Kongresit të autorizojë 13 miliardë dollarë të tjera ndihmë për Kievin. Kërkesa e fundit për miratim nga Kongresi për ndihmë në Kiev u bë në nëntor 2022.