Franca jep sinjale pozitive për liberalizimin e vizave

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ka dhënë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Me rastin e pritjes për Festën Kombëtare Franceze, të enjten, diplomatja tha se për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtet diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë. Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”, tha ajo.

Franca por edhe Holanda e ndonjë vend tjetër, deri më tash janë treguar si vende më pak të gatshme për t’ua dhënë liberalizimin e vizave qytetarëve të Kosovës.

Kohëve të fundit, shumë shtete të BE-së janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave. Ka pritje, që ky vendim te merret deri në fund të vitit, gjatë kryesimit çek të Presidencës.

Ambasadorja Butel pati një porosi edhe për dialogun, Kosovë-Serbi, për çka tha se nuk do të ketë integrim për Kosovën dhe Serbinë në BE, derisa ka mosmarrëveshje mes vendeve