Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke që e quante skandaloz vendimin e Gjykatës së Vlorës për të dhënë masën e arrestit me burg për Fredi Belerin, kandidatin e opozitës për Bashkinë e Himarës.
Është thuajse e pamundur të kuptojmë se si miqtë tanë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin janë shumë të qarta. Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nuk e kuptojmë se si të qenit me kombësi greke, mund ta përjashtojë atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë. Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë.
Olta Xhaçka, ministre e Jashtme e Shqipërisë
Ministria e Jashtme greke e cilësi vendimin e sotëm si skandaloz nëse provat ndaj tij nuk janë të të pakundërshtueshme. Në njoftim thuhet po ashtu se do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme, është skandaloz. Arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën shtet ligjor. Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë, qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.
Një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht i kësaj rruge europiane është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate. Vendime si ky i sotmi që shkelin parimet e mësipërme do të thotë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane.
Ministria e Jashtme greke
Çfarë vendosi gjykata
Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua dy ditë më parë me akuzën e blerjes së votave.
Gjykata gjithashtu shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.
Sipas të dhënave të policisë së Vlorës, arrestimi i Belerit, është bërë pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.
Në seancën gjyqësore ishte e pranishme edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi, ndërsa kreu PBDNJ, Vangjel Dule, nuk u lejua të ishte pjesë e procesit. Jashtë ambienteve të gjykatës, Dule e cilësoi arrestimin një vendim të paralajmëruar.
Rama: Sprovë e madhe për drejtësinë, mos u nxitoni në konkluzione politike
Një sprovë të madhe për drejtësinë në prag të zgjedhjeve, e ka cilësuar kryeministri Edi Rama ndalimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri. Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë, thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”
Ai bëri thirrje për respektim të organeve të drejtësisë dhe mos nxitim me konkluzione politike.
“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”.
Arrestimi i Belerit, reagon kryeministri i Greqisë
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, reagoi në rrjetet sociale pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës.
Informova Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për arrestimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Himarë dhe anëtarit të pakicës kombëtare greke, Fredi Beleri, dy ditë përpara zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe BE-ja nuk do të pranojnë shkelje të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke.
Kiriakos Mitsotakis, Facebook
Dendias: Skandal nëse s’ka prova, informova BE-në
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë, Fredi Beleri.
Deklaratën, Dendias e ka bërë nga Stokholmi ku do të mbahet takimi joformal “Gymnich” i Ministrave të Jashtëm të BE-së.
Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë në Shqipëri, si dhe të një tjetër greku, është skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme. E kam informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell për rastin, si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom, i cili mban Presidencën e BE-së.
Nikos Dendias, Twitter
Kryediplomati grek shprehet se nëse arrestimi është bërë pa prova të pakontestueshme, rasti është skandal. Po ashtu, ai bën të ditur se ka vënë në dijeni BE-në për arrestimin e Belerit, më konkretisht përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom.
Sali Berisha: Hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës
Sali Berisha e quajti një “një hakmarrje të verbër politike të Edi Ramës” arrestimin e Fredi Belerit në Himarë, nën akuzën e korrupsionit zgjedhor.
Sipas tij këto veprime janë bërë “me manipulimet, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave që drejton sot policinë e Vlorës dhe quhet Ermal Muça. Dënoj dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote, kudo që kjo të ketë ndodhur”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Por duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj trojeve dhe tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Sikundër përdorimi i dhunës është një akt “in extremis” për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Kam qenë në Dropull klimë terrori, ku policia u bënte presion zgjedhësve që të mos votonin kandidatin tonë të shkëlqyer, por të votonin kandidatin e Edi Ramës”.
“Po të jetë puna për blerje votash, ato janë tentuar duke u dhënë bonus mbi 600 mijë pensionistëve, në kundërshtim të kodit zgjedhor, me përdorimin masiv të punësimeve. Vetëm pensionistë janë shtuar 13 mijë në këtë periudhë, pa kontribute. Vetëm për personat me aftësi ndryshe janë shpërndarë në Dibër 400 milionë nga thesari. Kjo ka qenë masive dhe nëse ka njeri që ka kryer një megakrim elektoral është Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, Olta Xhaçka, Damian Gjiknuri, Elisa Spiropali, Tom Doshi”, shtoi Berisha.