Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në samitin e grupit të shteteve BRICS, që do të zhvillohet me 22 gusht në Afrikën e Jugut. Këtë e konfirmoi presidenca e vendit organizator. Në vend të tij parashikohet prezenca e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Kjo vjen mes një frike që presidenti Putin mund të arrestohej gjatë udhëtimit të tij për në Afrikën e Jugut. Qeveria e Johanesburgut sqaroi se diçka e tillë nuk do të ndodhte, pasi do të ishte një deklaratë lufte ndaj Rusisë.
Kremlini reagoi lidhur me atë deklaratë duke nënvizuar se Rusia nuk e ka udhëzuar Afrikën e Jugut të bënte atë deklaratë. Putini është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës pasi akuzohet për krime lufte dhe rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.