Qeveria Kurti ka filluar punën me një seri shkarkimesh të drejtorëve të Bordeve në ndërmarrjet publike.
Filloi punën me 4 shkurt, një ditë pasi që u votua në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e koalicionit VV-LDK, me kryeministër Albin Kurtin, me 19 shkurt mori vendim për shkarkimet e para në bordet.
Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ka kishte thënë se shkarkimi i Bordit të Telekomit është domosdoshmëri. Vendimin e saj e arsyetoi edhe kryeministri Kurti dhe vendimi kaloi në mbledhjen e qeverisë.
“Është në gjendje të rëndë financiare dhe operative. Ndodhet në prag të falimentimit. Në këto rrethana si ministre përgjegjëse konstatoj nevojën për veprim të menjëhershëm të Qeverisë. Shkarkohet bordi dhe emërohet bordi i ri”, tha ministrja Hajdari.
“Nuk kanë përmbushur planin e biznesit, Qeveria ka arsye për të besuar se drejtorët kanë shkelur detyrat, Drejtorët e tashëm kanë lejuar shpenzime të tepërta. Rezoluta e Kuvendit kërkon shkarkimin e drejtorëve”, ka thënë ajo.
U deshtë të pritet vetëm 9 ditë të tjera që shkarkimet të vazhdonin.
Në mbledhjen e tretë me radhë të Qeverisë, të mbajtur me datën 28 shkurt, u shkarkuan edhe bordet e dy ndërmarrjeve tjera publike.
Përsëri me propozimin e ministres Hajdari, kabineti qeveritar vendosi për shkarkimin e bordit të Infrakosit dhe Bordin mbikëqyrës të Trepçës.
“Bordi ka shkelur detyrat fiduciare për shkak që ka dështuar të marrë masa ndaj krye shefit të ndërmarrjes i akuzuar për keqpërdorim të pozitës, me 3 janar 2020 Prokuroria e Prizrenit, departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Thaçit për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Bordi ka njoftuar se ka shqyrtuar rastin, por kanë thënë se nuk duan te i interferojnë në punët e Drejtësisë. Bordi nuk ka nevoje të pres. Bordi ka vonuar pa arsye përmbushjen e detyrimeve ligjore”, tha Hajdari.
Ajo shtoi edhe disa arsye tjera që çuan në këtë propozim.
“Poashtu, likuideti i ndërmarrjes ka rënë dukshëm në vitet e fundit, për çka bordi ka bazë të shkarkoj kryeshefin, prandaj unë i propozoj qeverisë të shkarkoj bordin për shkelje të detyrave fiduciare”
Ndërsa për Bordin mbikqyrës të Trepçës, Rozeta Hajdari, citoi Kushtetutën dhe Ligjin për Trepçën si arsye.
“Unë i propozoj qeverisë që të shkarkojnë drejtorët, këtë propozim e jap duke u mbështetur në Kushtetutë, Ligjin për Ndërmarrje Publike si dhe Ligjin për Trepçën. Në rastin e Trepçës tërësia e rrethanave rreth menaxhimit të pa lujtshmërive dhe punësimit jep arsye për të besuar se bordi mbikëqyrës ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, tha ajo.
Ajo shtoi edhe disa arsye tjera që këta drejtorë të shkarkohen.
“Gjatë shkurtit 2020 Trepça ka hapur procedura tenderimi për dhënien me qira të pronave të paluajtshme të ndërmarrjes që përfshinë disa tokë dhe objekte. Qiradhënia afatgjate e kësaj natyre bie ndesh me nenin 1 të ligjit për këtë Trepçën”, tha ajo.
Ajo përmendi edhe konkursin e fundit që kishte shpallur kjo ndërmarrje si arsye shtesë.
“Më 24 shtator 2019, Trepça ka shpallur konkurs për 220 punëtorë të rinj, shpallja e kandidatëve të suksesshëm ka ngritur dyshime për keqpërdorime. Banorët kanë protestuar, jemi njoftuar që edhe Prokuroria ka nisur hetime. Veprimet ose mosveprimet e bordit mbikqyrës kanë dëmtuar imazhin e ndërmarrjes”, tha ajo.