Fuqia e uraganit, shihni si e pësuan një stadium dhe një vinç i madh në Florida

Stadiumi Tropicana Field – shtëpia e ekipit të bejsbollit Tampa Bay Rays – duket se është dëmtuar rëndë nga Uragani Milton që ka goditur Floridën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet në televizionin lokal dhe të shpërndara në mediat sociale treguan çatinë “të grisur në copa”.

Nuk dihet menjëherë nëse ka pasur dëmtime brenda stadiumit, por besohet se nuk ka persona të lënduar.

Dhe pas shfaqjes së imazheve që tregojnë “çatinë e copëtuar” të stadiumit Tropicana Field, disa pamje të tjera tregojnë një vinç të madh që është rrëzuar në një ndërtesë në Florida.

 

Zyrtarët në Shën Petersburg, një nga qytetet më të goditura nga uragani Milton, thanë: “Asnjë të lënduar në asnjërin incident nuk është raportuar në këtë moment”.

Më shumë se dy milionë familje janë tani pa energji pasi Uragani Milton “u përplas” në Floridën qendrore, tregojnë shifrat e fundit.