Shoqata e Gastronomëve ka kërkuar nga Qeveria që të lejojë punën e klubeve të natës dhe të sallave të dasmave.
Gastronomët kanë pasur edhe disa kërkesa në lidhje me zgjatjen e orarit të muzikës, heqjen e orës policore dhe kërkesa tjera.
Përmes një reagimi në Facebook, ata kanë deklaruar se takimet që kanë pasur me kandidatët për kryetarë të komunave nuk do të kenë ndikim nëse nuk ua plotësojnë kërkesat.
“Po e shohim që duke u marrë me zgjedhje na keni harru neve, ato takimet që i kemi pasë me të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave nuk do të kenë ndikim përderisa kur duhet dhe mund të veproni, ju nuk bëni asgjë. Prandaj KUJDES SE JEMI SHUMË! Pra, PRESIM VENDIMIN TUAJ NESËR, DHE JU TREGOJMË VENDIMIN TONË ME 14 NËNTOR”, thuhet në reagim.
Ata kanë kritikuar partitë politike që po vazhdojnë tubimet elektorale pa kontroll dhe me grumbullime masive.
“Rastet pozitive të COVID-19 janë për toke që më shumë se një muaj e gjysmë, ndërsa numri i të testuarve në raport me numrin e banorëve vazhdon që të jetë më i miri në rajon dhe ndër më të mirat në Evropë. Gastronomia vazhdon të jetë e kufizuar në punën e saj me masa paradokse, ndërsa zhvillimet në vend, fatkeqësisht po shpërfaqin aplikim të standardeve të dyfishta nga ana e shtetit, të cilët po na thonë që duhet të jemi të kujdesshëm nga mundësia që mund të na kërcënohet një valë e re epidemiologjike, gjersa fushatat dhe tubimet elektorale po vazhdojnë të mbahen pa kontroll dhe me grumbullime masive”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje ata shtojnë se, “Qeveria fatkeqësisht është shumë e zënë me fushatat politike, gjersa nuk kemi asnjë strategji për ti ndihmuar bizneset të cilat po luftojnë përditë për ti mbajtur në punë më shumë se 30 mijë punëtorë, e aq më pak për ata të cilët vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur e që punuan shkurtimisht gjatë verës. Pra, rastet për toke, Qeveria për toke, gastronomia për toke, strategjia për toke.
“Rrjedhimisht, ose i hapni bizneset që nuk po lejohen të punojnë (klubet e natës dhe sallat e dasmave) në pajtueshmëri me protokollet shëndetësore të bazuara në teknologji duke i lejuar vetëm të vaksinuarit dhe të pajisurit me dëshmi të futen brenda, ose të miratoni masa financiare për ti ndihmuar këto biznese të cilat fare nuk po punojnë! Bizneseve të gastronomisë të ju zgjatet orari i muzikës në përputhje me atë të punës; Të rritet kapaciteti i punës në hapësira të brendshme në shërbimet e HORECA-s; Të hiqet ora policore, ose të mos ketë për personat e vaksinuar dhe ata që kanë dëshmi; Të punojmë me strategji dhe eksperiencën me pandemi e kemi tash e 609 ditë, ndërsa punën që po e shohim në këtë drejtim po lë shumë për të dëshiruar”, thuhet në reagim.