Gazetari britanik Tim Judah, njohës i zhvillimeve në Ballkan, i kujton kryeministrit Albin Kurti se në Kosovë akoma gjenden strukturat paralele të Serbisë, ndonëse ai është zotuar për reciprocitet e për zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për vendosje të masave të reciprocitetit me Serbinë, korrespondenti i “The Economist” i kujton qeverisë së Kosovës edhe strukturat paralele që gjenden në pjesën veriore të Kosovës.
“Qeveria e re e Kosovës do të vendosë ‘reciprocitet’ me Serbinë në ditët e ardhshme dhe të vendosë për pjesët e pazbatuara të marrëveshjes, që tashmë janë nënshkruar”, ka shkruar Judah në Twitter, transmeton Gazeta Express.
Ai i ka bashkëngjitur shkrimit të tij një fotografi, ku shihet një zyrë e Ministrisë së Financave të Serbisë në Kosovë.
“Këtu shihet një zyrë e Ministrisë së Financave të Serbisë në veri të Kosovës. Fotografinë e shkrepa dy javë më parë”, ka shkruar gazetari.
Në pllakën e objektit që e ka fotografuar gazetari britanik, shkruan “Ministria e Financave të Serbisë, Administrata e Thesarit, Filiali në Mitrovicën e Kosovës”.