Gazetarja e Weltit gjerman përshkruan incidentin e topit akustik në Beograd: U ndjeva e trullosur, pata shqetësime të forta për 30 minuta

Gazetarja Tatjana Ohm e Weltit gjerman, e cila mbuloi protestat në Beograd, ndau përvojën e saj në lidhje me një incident që ndodhi gjatë 15 minutave të heshtjes, për të cilin shumë pretendojnë se përfshin përdorimin e “topit akustik”.

“Një grup njerëzish të hutuar para meje. Pas 12 minutash, papritmas dëgjova një zhurmë. Situata ishte krejtësisht konfuze” shpjegon ajo.

Sipas gazetares, për 30 minutat e ardhshme ajo ndjeu marrje mendsh dhe shqetësime të forta.

“Unë ia atribuova turmave, por mund të jetë edhe për diçka tjetër, duke qenë se gjithnjë e më shumë njerëz po raportojnë simptoma të ngjashme. Janë raportuar gjithashtu dhimbje veshi, marramendje dhe shqetësime të gjumit”, shtoi gazetarja.

Pjesëmarrës të tjerë të protestës raportuan lëndime nga turma dhe shtytja që pasoi ose nga zhurma e papritur.

Presidenti i Serbisë, Ministri i Shëndetësisë, Ministri i Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes kanë mohuar përdorimin e një topi zanor.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka urdhëruar një hetim për përhapjen e lajmeve të rreme për sulmin, ndërsa Prokuroria e Parë Themelore ka paralajmëruar hetim për vetë incidentin.