Disa terroristë serbë që kanë kryer sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit ndodhen të lirë në Serbi.
The Geopost ka siguruar një video në të cilën shihen disa nga pjesmarrësit e sulmit terrorist në Banjskë tek festojnë së bashku me disa këngë nacionaliste në hotelin “Mejdan” në Beograd të Serbisë.
Në mesin e terroristëve që shihen edhe në video janë Rados Gvozdic, Danijel Lazarevic, Marko Jevtic, ish-polici Aleksandër Filipoviq, Nemanja Stankoviq e të tjerë.
Kliko KËTU për ta parë VIDEO-n
Më shumë se gjashtë muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, të udhëhequr nga grupi i armatosur i Milan Radoiçiqit në Serbi nuk ka rezultate në ndjekjen penale të përgjegjësve.
Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiq – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi.
Atje, Prokuroria e Beogradit e ka marrë në pyetje dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për disa vepra, përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, ai tani është në liri, teksa është thënë se atij i janë konfiskuar dokumentet dhe se i ndalohet shkuarja në Kosovë.
Përveç hetimeve paralele për Radoiçiçin, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) ka lëshuar fletarrestim për të në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, pati thënë se ekstradimi i Radoiçiçit në Kosovë është i pamundshëm, pasi të gjitha hetimet do të kryhen prej “gjykatave vendase”.
Pas Banjskës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pati pretenduar se Radoiçiçin e ka pasur bashkëpunëtor të afërt, dhe jo mik.
Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht bën thirrje që të zbardhet ky rast dhe që fajtorët të përballen me drejtësinë.