Akuzat që i filloi kryeministri Albin Kurti ndaj Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i ka vazhduar edhe Ministrja e Punëve të Jashme, Donika Gërvalla.
Gërvalla e akuzoi Lajçak për njëanshmëri në procesin e dialogut dhe për këtë tha se disa herë kanë shprehur pakënaqësi për këtë, por tha se “javën e kaluar është mbushur kupa”, duke aluduar për takimin e 14 shtatorit në Bruksel, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Shikoni, nuk është java e kaluar apo hera e parë që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, Miroslav Lajçak, është treguar tërësisht i njëanshëm në një proces dialogu, në të cilin Bashkimi Evropian do të duhej të ishte i paanshëm për të siguruar që të dyja palët të shohin se përfaqësimi i tyre merret në konsideratë. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë tonë në mënyrë interne rreth faktit se si Miroslav Lajçak e udhëheqë këtë dialog. Javën e kaluar është mbushur kupa”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kryediplomatja tha se gjatë këtij takimi ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë. Sipas saj, janë “janë prezantuar sikur të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë”, derisa tha se është bërë e pamundur që të vazhdohet ky proces në këtë formë.
“Pra, ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë. Janë prezantuar sikur të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë. Prandaj, për ne është bërë e pamundur që ta vazhdojmë këtë proces, në këtë formë. Ne i kemi bërë thirrje Bashkimit Evropian disa herë në kanalet tona të brendshme që të kihet më shumë kujdes në mënyrë që ky dialog të ketë një shans për të pasur sukses. Deri tani, nuk po e shohim kujdesin e nevojshëm”, ka deklaruar Gërvalla.
Gjuhën e përdorur nga Kurti ndaj Lajçak, Gërvalla s’e ka konsideruar si gjuhë të ashpër, duke thënë se vetëm ka treguar realitetin.
Tutje, ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i trajtojë të dy palët njejtë, gjë që thotë se nuk është bërë deri tash.
“Kryeministri i Kosovës nuk ka përdorur gjuhë të ashpër; ai ka treguar realitetin e zhvillimeve në dialog. Ne mendojmë që ky proces i dialogut në Bruksel, i cili nuk ka asnjë strategji ose që ka strategji vetëm nga takimi në takim, dhe në takimin e ardhshëm ndryshojmë përsëri, është i destinuar të dështojë. Dy vitet e fundit kanë dëshmuar që ajo çfarë Miroslav Lajçak ka dëshiruar të realizojë, ose të paktën ka deklaruar që dëshiron të realizojë në kuadër të procesit të dialogut, ka dështuar. Ne kemi nevojë për një proces, i cili është më i drejtë ndaj të dyja palëve. Nuk jam unë ajo që kam nevojë t’i japë mësime Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Por, ne kemi kërkesën tonë që procesi të jetë i drejtë ndaj të dyja palëve, gjë që nuk e kemi parë deri tani.
Gërvalla ka kërkuar ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë që të ndihmojnë për zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj. Madje, ka thënë se kjo duhet të bëht sa më shpejt.
“Qëndrimet nuk mund ta shtrembërojnë realitetin, i cili është dështimi i një procesi të dialogut pa strategji, pa plan, të njëanshëm dhe pa asnjë shans për të realizuar marrëveshjen për të cilën jemi marrë vesh si në Bruksel ashtu edhe në Ohër. Ne bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë të na përkrahin në përpjekjet tona për ta implementuar sa më shpejt që të ketë mundësi. Fjalët, kur kemi pranuar marrëveshjen, kanë qenë për korrikun e këtij viti. Korriku ka muaj që ka kaluar. Nuk kemi kohë për të humbur. I ftojmë të gjithë të na ndihmojnë që ta implemetojmë sa më shpejt marrëveshjen për të cilën na është thënë që është një marrëveshje e cila shkon në favor të Kosovës, një marrëveshje e cila duhet lidhur dhe duhet implementuar sa më parë. Fakti që Serbia ka ndërruar mendje rreth pranimit të kësaj marrëveshjeje nuk duhet të çojë në hezitimin e partnerëve tanë për të kërkuar edhe më me ngulm implementimin e saj”, ka shtuar Gërvalla.