Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Komandën Amerikane në Evropë (USEUCOM) dhe atë të Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën (USAREUR), në Shtutgard dhe Viesbaden, Gjermani.
Pjesë e delegacionit ishte edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Juri Kim, atasheu ushtarak i Mbrojtjes së SHBA kapiten i Rangut II David Millner, Shefi i zyrës Amerikane Bashkëpunimit të mbrojtjes n/kol. Erol Munir.
Gjeneralmajor Begaj u prit në takim nga komandanti i USAREUR gjeneral Christopher G. Cavoli si dhe zëvendëskomandanti i EUCOM gjenerallejtnant Michael L. Howard.
Gjeneralmajor Begaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak që ekziston midis Shqipërisë dhe SHBA, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm që ushtria amerikane ka dhënë dhe vazhdon të japi në rritjen e aftësive operacionale të FARSH.
Nga ana e tyre, gjeneral Cavoli dhe gjenerallejtnant Howard vlerësuan maksimalisht angazhimin dhe performancën e treguar nga FARSH në të gjitha kontributet ndër vite, si pjesë e misioneve dhe operacioneve të ndryshme, qoftë kjo pjesë e NATO-s apo edhe ato me SHBA.
Gjatë bashkëbisedimit me të dy autoritetet, gjeneralmajor Begaj shprehu gatishmërinë dhe rëndësinë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi, tashmë të konsoliduar dhe të suksesshëm. Veçanërisht vlerësoi mbështetjen që Departamenti i Mbrojtjes të SHBA planifikon të jap me këshilltar nga Brigada e Ndihmës së Forcave të Sigurisë për trajnimin, këshillimin, dhe ndihmesën për B2K të FT, njësi e cila është planifikuar t’i nënshtrohet vlerësimit të aftësive të NATO-s për vitin 2022. Përveç asistencës teknike, u vlerësuar edhe kontributi me pajisje moderne dhe bashkëkohore për këtë batalion, por edhe për njësitë e tjera të FARSH, si regjimenti i helikopterëve me helikopterët “Black Hawk”, repartet EOD, Qendra e Mbrojtjes Cyber, etj. Shqipëria dëshiron gjithashtu të ofrojë përdorimin e infrastrukturës ushtarake për stërvitje e trajnime të ndryshme për aleatin strategjik SHBA si dhe NATO. Defender Europe-21 ishte shembulli më i mirë i këtij bashkëpunimi dhe Shqipëria do të jetë vend pritës për stërvitjen Resolute Castle për vitin 2022 dhe pjesë e Stërvitjeve Defender Europe 23/25.
Më tej, gjeneralmajor Begaj shprehu një falënderim të veçantë edhe për Zyrën e Bashkëpunimit të SHBA në fushën e Mbrojtjes të atashuar në Shqipëri, për punën e vazhdueshme që kjo strukturë vazhdon të japi në këtë drejtim.
Gjatë vizitës, gjeneralmajor Begaj zhvilloi takime edhe me drejtorët e Zbulimit, Planifikimit, Stërvitjeve dhe Operacioneve, si dhe atë të Partneritetit. Për këtë të fundit, nga SHSHP të FA u akordua certifikata e mirënjohjes me motivacionin “Për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme ndaj Shqipërisë, duke rritur ndjeshëm aftësitë e FARSH në fushat e EOD dhe menazhimit të municioneve (PSSM), si dhe projektet e Ndihmës Humanitare ndaj popullsisë”.
USEUCOM realizon një gamë të gjerë operacionesh, në koordinim me aleatët dhe partnerët për të mbështetur NATO-n, për të penguar Rusinë, për të mundësuar operacione globale si dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve ndërkombëtare. Ndërkohë, USAREUR siguron forca tokësore të gatshme për të penguar, dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur çdo agresion nga kundërshtar të mundshëm në Evropë dhe Afrikë. Për ta arritur këtë, USAREUR është e përgatitur të shërbejë si shtab i Forcave të Përbashkëta, për të luftuar në të gjithë spektrin e plotë të operacioneve ushtarake, nga reagimi ndaj emergjencave apo krizave, dhe deri në luftime në shkallë të gjerë.