“Aleksandër Vuçiç shkoi në Moskë eksluzivisht për ta nisur fushatën zgjedhore. Vitet paraprake, ai me kujdesin më të madh e ka ndërtuar imazhin e tij si rusofil, që këtë gjë t’ua shet votuesve në Serbi”.
Kështu e cilësoi takimin e djeshëm të Presidentin të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me Presidentin e Federatës Ruse, Vlladimir Putin, kryetari i lëvizjes serbe “Oslobodjenje” dhe ish-këshilltari i Boris Tadiç, Mlljadin Gjorgjeviç.
Sipas tij, Vuçiç “tjetër gjë bën, tjetër gjë thotë”, dhe se “Rusia, nuk e pret aq mirë siç e paraqet ai”.
“Në Rusi, ata çdo ditë e më shumë këtë rusofilizmin e tij po e kuptojnë si të rremë, dhe do të ekspozohet. As këtë vizitë nuk e ka pasur të lehtë, sepse ai ka lobuar me mundin më të madh te Sergei Lavrov, dhe Putin e ka pranuar vetëm para zgjedhjeve në Serbi”, thotë ai në një përgjigje për Danas.
“Mospajtimet e Moskës dhe Beogradit mbi Republika Srpska-n dhe Kosovën, janë duke u rritur”, konsideron ai.
Gjorgjeviç thotë se “Vuçiç ka akuzuar për spiunë rus, ka akuzuar Rusinë se po organizon protesta në Beograd, u ka shitur armë Ukrainës, ka nënshkruar Marrëveshjen e Washington-it ku zotohet për reduktimin e furnizimit me energji nga Rusia, dhe ka mbështetur Përfaqësuesin e Lartë të BeH-së, Carl Schimdt-in”, dhe se “për këtë gjë, Rusia nuk është e lumtur”.
“Gënjeshtër”, sipas tij, është ajo se “Vuçiç shkoi në Moskë për të negociuar për çmim të gazit”.
“Kjo gjë ishte përcaktuar shumë më herët, dhe nuk është presidenti ai që në Rusi vendos për çmime, por menaxhmentet e kompanive të gazërave dhe naftërave”, përfundon ai.