Gjykata e OKB-së për krimet e luftës hodhi poshtë një kërkesë të ish-kreut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç për lirimin e parakohshëm të tij për arsye humanitare ose për ta lejuar atë të vazhdojë ta vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në Serbi.
Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiçit, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte, për lirim të përkohshëm në Serbi për arsye humanitare për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Në një vendim të marrë më 31 maj, por të publikuar në faqen e internetit të gjykatës së krimeve të luftës me bazë në Hagë këtë javë, ajo hodhi poshtë gjithashtu kërkesën e Mlladiçit për ta vuajtur pjesën tjetër të dënimit në Serbi.
Në kërkesën e tij, Mlladiçi pretendoi se sëmundja e tij nuk po trajtohej siç duhet në paraburgim dhe se ai do të merrte një kujdes më të mirë shëndetësor në Serbi. Ai gjithashtu u ankua për pengesën gjuhësore me të cilën përballet aktualisht në paraburgim në Holandë.
Kryetarja e gjykatës Graciela Gatti Santana tha në vendimin e saj se dënimet duhet të kryhen në shtetet me të cilat Kombet e Bashkuara kanë marrëveshje për këtë qëllim dhe se Serbia nuk do të ishte një opsion i zbatueshëm.
“Pasi ka kryer vetëm rreth 13 vjet të dënimit të tij me burgim të përjetshëm, Mlladiçi nuk e ka arritur ende pragun e pranueshmërisë për lirim të parakohshëm”, shtoi ajo.
Mlladiçi, i cili është 82 vjeç, ka pasur disa probleme serioze mjekësore që kur ka qenë në paraburgim në Holandë dhe ka pësuar dy ishemi dhe një atak në zemër. Ai gjithashtu kreu një operacion në zorrën e trashë në 2020.
Avokatët e tij kanë pohuar vazhdimisht se ai nuk ka marrë trajtimin e duhur dhe se problemet e tij shëndetësore janë nënvlerësuar.
Gatti Santana tha se monitorimi i fundit mjekësor i Mlladiçit që ajo mori nga Njësia e Paraburgimit e OKB-së tregonte se gjendja e tij ishte aktualisht e qëndrueshme dhe kishte treguar një përmirësim të dukshëm.