Një gjykatës i New Yorkut ka konstatuar se Donald Trump ka kryer mashtrime për vite me radhë gjatë ndërtimit të perandorisë së pasurive të paluajtshme që e katapultoi atë drejt famës dhe Shtëpisë së Bardhë.
Gjykatësi Arthur Engoron, duke vendosur të martën në një padi civile të ngritur nga Letitia James, prokurorja e përgjithshme e New Yorkut, zbuloi se ish-presidenti amerikan dhe kompania e tij mashtruan bankat, kompanitë e sigurimeve dhe të tjerët duke mbivlerësuar masivisht asetet dhe duke ekzagjeruar vlerën neto të tyre, raporton theguardian.
Vendimi, i cili vjen disa ditë përpara fillimit të një gjyqi pa juri, është mohimi më i fortë deri më tani i imazhit të krijuar me kujdes – Trump, manjat i pasur dhe mendjemprehtë i pasurive të paluajtshme.
James e paditi Trumpin në shtator të vitit 2022, duke e akuzuar atë dhe Organizatën Trump se kanë gënjyer për një dekadë rreth vlerave të aseteve dhe vlerën neto për të siguruar kushte më të mira marrjes së kredive bankare dhe sigurime.
Ajo ka thënë se Trump e rriti vlerën neto të pasurive deri në 3.6 miliardë dollarë (3.41 miliardë euro) në pasqyrat financiare vjetore, të cilat iu prezantoi bankave dhe siguruesve.
Prokurori i Përgjithshëm ka thënë se asetet, vlerat e të cilave janë fryrë përfshijnë pasurinë e Trump në Mar-a-Lago në Florida, apartamentin nën çati në Kullën Trump të Manhattanit, dhe ndërtesa të ndryshme zyrash dhe fusha golfi. Ai urdhëroi kompaninë të anulojë certifikatat e saj të biznesit në New York.