Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi dje se autoritetet greke ishin fajtore për rastin e fundosjes së një anijeje me emigrantë në Detin Egje në vitin 2014.
Në çështjen Safi dhe të tjerët kundër Greqisë, Gjykata vlerëson se ka pasur shkelje të së drejtës për jetë dhe shkelje të ndalimit të trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.
Rasti kishte të bënte me fundosjen e një anijeje peshkimi në detin Egje në vitin 2014, në të cilën ndodheshin 27 shtetas të huaj, ku mbetën të vdekur 11 persona.
“Gjykata konstaton se kishte mangësi në procedurë, se autoritetet kombëtare nuk kryen një hetim të plotë dhe efektiv që mund të hedhë dritë mbi rrethanat në të cilat anija u mbyt dhe ata nuk bënë gjithçka që mund të pritej në mënyrë të arsyeshme prej tyre dhe t’u sigurojë kërkuesve dhe të afërmve të tyre nivelin e mbrojtjes që kërkohet nga konventat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Vendimi thoshte se dymbëdhjetë aplikantë iu nënshtruan trajtimit poshtërues për shkak të kontrolleve trupore pas arritjes në Farmakonisi.
Gjykata urdhëroi Greqinë t’u paguajë 330 mijë euro dëmshpërblim ankuesve.