Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin në lidhje me rastin e Velerda Sopit, vajza e të ndjerës Sebahate Morinës, e cila ishte vrarë në mars të vitit 2021 nga ish-bashkëshorti i saj, Lulzim Sopi. Gjykata, ka konstatuar se Policia e Kosovës, Stacioni policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre në mbrojtjen e jetës së tashmë të ndjerës.
Në Aktgjykimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, thuhet se vendimi është marrë njëzëri që kërkesa e parashtruar nga Sopit është e pranueshme.
“Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.”
Në njoftim po ashtu thuhet se më 10 nëntor 2019, ishte raportuar në Polici rasti për dhunë në familje, derisa njëjtë ishte raportuar edhe më 3 mars të vitit 2021, për të cilin procedura ishte zhvilluar në Stacionin Policor në Graçanicë dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, dhe të cilat janë detajisht të shtjelluara në Aktgjykimin e publikuar, bazuar në shkresat e lëndës, ishin zhvilluar dy kategori procedurash, sipas raportimeve përkatëse për dhunë në familje. E para, sipas rastit për dhunë në familje të raportuar më 10 nëntor 2019 dhe për të cilën procedurat përkatëse ishin zhvilluar nga Stacioni Policor, Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore në Gjilan. Ndërsa e dyta, sipas rastit për dhunë në familje të raportuar më 3 mars 2021 dhe për të cilën procedura ishte zhvilluar në Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.”.
“Përkitazi me kategorinë e parë të procedurave, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që procedura kishte filluar me lajmërimin e rastit për dhunë në familje më 10 nëntor 2019 në Stacionin Policor në Gjilan dhe kishte përfunduar me 27 janar 2020 me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan përmes të cilit, bashkëshorti i të ndjerës S.M., ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale të saktësuara paragrafin 1 të nenit 248 (Dhuna në Familje) dhe nënparagrafin 3.1 të nenit 184 (Sulmi) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Siç është sqaruar në Aktgjykimin e publikuar, përgjatë kësaj periudhe kohore, autoritetet respektive në Gjilan sipas kompetencave përkatëse kishin: (i) vendosur masën e paraburgimit; (ii) nxjerrë Urdhrin Mbrojtës në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajsh; (iii) parashtruar kallëzimin penal; (iv) ngritur aktakuzën; dhe (v) shpallur fajtor L.S.-në për veprat penale të saktësuara si më lart. Thënë këtë, Aktgjykimi i publikuar vë theks në faktin që Gjykata Themelore në Gjilan, kishte zëvendësuar dënimin me burg të L.S.-së në dënim me gjobë prej një mijë e treqind (1,300) euro. Urdhri përkatës i Mbrojtjes kishte skaduar më 26 nëntor 2020”.
Njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund ta lexoni duke klikuar në KËTU.