Gjykata Kushtetuese sot del në punë, për të vendosur për pezullimin e votimit të qeverisë Hoti

Edhe pse sot është ditë pushimi për institucionet publike, pasi është festa e 1 Majit, Gjykata Kushtetuese do të dalë në punë për t’u marrë me kërkesën e parashtruar nga VV fillimisht për pezullim të votimit të qeverisë Hoti, e më pas edhe për kushtetueshmërinë e vendimit të Presidentit për të mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Reporteri.net, ka arritur të sigurojë kërkesën që Gjykata Kushtetuese i ka dërguar kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, së cilës i ka kërkuar që të njëjtën të ua dërgojë edhe të gjithë deputetëve, nëse ata duan të japin komentet e tyre në këtë gjykatë lidhur me lëndën e dërguar të enjten nga VV në kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese u thotë deputetëve se kanë mundësi të dërgojnë komentet e tyre për dy çështje. E para ata mund të dërgojnë komente lidhur me kërkesën e VV’së për pezullim të votimit të qeverisë Hoti dhe këtë mund ta bëjnë deri nesër deri në ora 12:00.

Gjithashtu, deputetët mund t’i dërgojnë komentet e tyre në gjykatë edhe për lëndën që ka të bëjë me atë nëse Presidenti ka vepruar konform Kushtetutës lidhur me vendimin e tij për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Këtë ata mund ta bëjmë deri më datë 8 maj në ora 16:00.

Duke ditur që LDK i ka kërkuar kryesisë së Kuvendit që të thërret seancën e jashtëzakonshme, për votimin e qeverisë Hoti, për të shtunën në ora 13:00, Gjykata Kushtetuese duket se do të veprojë shpejtë gjatë ditës së nesërme për të dhënë përgjigje lidhur me pezullimin apo mospezullimin e kësaj seance, konformë kërkesës së VV’së, shkruan Reporteri.net.

Andaj, nëse Gjykata Kushtetuese nesër merr vendim që të pezullojë votimin e qeverisë Hoti, Kuvendi do të obligohej të mos thërras seancë për votim të qeverisë, deri në nxjerrjen e vendimit tjetër Gjykatës, atij që do të jepte përgjigje nëse presidenti ka vepruar konform Kushtetutës apo jo kur ka mandatuar Hotin për kryeministër.

Ndërkohë, po në orën 12 të së premtes, kur Vjosa Osmanit i përfundon afati t’iu përgjigjur Kushtetueses, kryeparlamentarja ka thirrur një konferencë për media. Njoftimi është bërë të enjten në mbrëmje, por pa u bërë e ditur se për çka do të flasë në konferencë Kryeparlamentarja Osmani.