Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak tre të dyshuarve K.H, O.H dhe L.D, për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Atyre u është vazhduar masa e arrestit shtëpiak prej datës 12.07.2023 deri me datë 12.09.2023.
Këtë informatë e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Masa e sigurisë u është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve K.H, O.H dhe L.D, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurve K.H, O.K dhe L.D, ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj, prej datës 12.07.2023 deri me datë 12.09.2023”, tha Gashi për Express.
Sulmi ndaj gazetarit Syla kishte ndodhur më 11 prill të këtij viti.
Të dyshuarit pas arrestimit kishin qëndruar një muaj në paraburgim, më pas gjyqtari i procedurës paraprake kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 12 korrik 2023.
Gazeta Express kishte publikuar dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhej se të dyshuarit të motivuar ideologjikisht kanë përcjellë gazetarin Syla nga T7 deri në Breg të Diellit, të cilin më pas e kanë sulmuar me grushte në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datën 11.04.2023 rreth orës 23:00, në Prishtinë, të motivuar me ideologji ekstreme radikale islamike e me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes dhe mosdurimit ndaj gazetarit Valon Syla për shkak të një postimi në Facebook për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV T7 dhe me të arritur afër restorantit “Image” në Prishtinë, duke ia rrezikuar sigurinë e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime”, theksonte prokuroria.
Sipas prokurorisë për K.H, O.H dhe L.D, ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.