Manojl Gjidoda është dënuar me katër vjet e katër muaj burg nga Gjykata Themelore në Gjakovë, lidhur me akuzën për kryerjen e veprës penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë”.
Sipas Betimit për Drejtësi, Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gjidoda u shpall sot nga kreu i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj.
Gjidoda akuzohej se nga fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt 2020 në Gjakovë, kishte tentuar që të shtytë Lekë Markun, që të kryejë vrasje të trefishtë, duke i premtuar 320 mijë euro në këmbim..
Në dënimin e shqiptar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e thërret kinse për të biseduar rreth shitblerjes së një banese në Gjakovë, më pas takohet në lokalin “Scorpion”, ndërsa të nesërmen në parkingun e restorantit “Metropol” në Gjakovë, ku me veturë të Lekës shkojnë tek Liqeni i Radoniqit dhe aty bisedohet për kryerjen e tri vrasjeve, dhe atë për vrasjen e Brahim Shalës do të jepet shuma prej 20 mijë euro, për vrasjen e Gjelbrin Gjoshit shuma prej 200 mijë euro, dhe për vrasjen e djalit të Brahimit që gjendet në vuajtje të dënimit, Qëndrimit shumën prej 100 mijë euro.