Driton Lajçi, staf politik, udhëheqës i Zyrës për ndihmë juridike për të akuzuarit potencial nga Specialja, në janar të këtij viti, kishte marrë pjesë gjatë marrjes në pyetje të Sami Lushtakut nga prokurorë të Prokurorisë së Specializuar.
Por, sipas avokatit të tij, Artan Qerkini, ai aty kishte qëndruar si përkthyes ndërmjet Lushtakut dhe avokatit Geoffrey Nice, raporton KTV.
Për pozitën e Lajçit, Qerkini thotë se ishin në njohuri Prokuroria e Specializuar, dhe një situatë tillë ishte krijuar pasi avokati Nice, nuk kishte pranuar përkthyes nga Prokuroria.
E përderisa e ka mohuar mundësinë që Lajçi të jetë ftuar për këtë çështje, Qerkini ka bërë të ditur se Prokuroria e Specializuar, përveç funksionit të zyrës, ka pasur dyshime për disa pagesa që janë bërë për mbrojtjen e personave potencialisht të akuzuar.
Por, Qeveria e Kosovës, konkretisht Zyra të cilën e udhëheq Lajçi, nuk ka të drejtë të bëjë asnjë pagesë në këtë fazë bazuar në Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare për personat e akuzuar potencial pranë Dhomave të Specializuara.
I gjithë ky ligj, veçanërisht neni 3, specifikon se për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes, kanë të drejtë të gjithë personat e akuzuar, pra pasi të ngrihet aktakuza, e jo në fazën e hetimeve ose marrjes në pyetje.
Në fillim të vitit, Driton Lajçi e kishte pranuar në një deklarim për T7, se kanë marrë kërkesë për të paguar avokatin Geoffrey Nice, ani pse Sami Lushtaku as tani e as në janar nuk ishte i akuzuar, por vetëm i dyshuar i Speciales.
Për hetimet në këtë çështje, as zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, nuk ka dhënë ndonjë koment.
KTV-ja ka dërguar javën e kaluar kërkesa për qasje në dokumente zyrtare për këto pagesa, në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Kryeministrit, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Lajçi u intervistua javën e kaluar, derisa paraprakisht, edhe një zyrtar nga zyra që udhëheq ai, u mor në pyetje nga hetuesit e Speciales.
Rilind Berisha, në muajin gusht ishte ftuar për intervistim, derisa në media është raportuar se ai dyshohej për rrjedhje të informatave nga zyra ku punonte.
Përveç Berishës e Lajçit, siç është bërë e ditur tashmë, ftesa për t’u paraqitur në Hagë para prokurorëve të Prokurorisë së Specializuar, i ka shkuar edhe ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.