Mbi 200 anëtarë të organizatës kriminale Ndragheta janë dënuar gjithsej me më shumë se 2200 vjet burg, pas përfundimit të një prej gjyqeve më të mëdha mafioze në historinë italiane që u mbajt në një tunel.
Gjyqi 3-vjeçar përfshinte mafiozë, sipërmarrës dhe politikanë nën hetim të akuzuar për vrasje, korrupsion, trafik droge, pastrim parash dhe zhvatje.
Më shumë se 300 të pandehur kanë dalë në gjyq që nga janari 2021, të akuzuar si anëtarë të organizatës kriminale që kontrollon 80% të tregtisë së kokainës në Evropë dhe ka një qarkullim vjetor prej 59 miliardë eurosh.
Që nga tërheqja më 16 tetor për të shqyrtuar vendimet e tyre, tre gjyqtarët që mbikëqyrnin çështjen kanë jetuar në një shtëpi të sigurt nën mbrojtjen e policisë.
Rreth 67 të pandehur që ishin pjesë e aktakuzës fillestare tashmë janë shpallur fajtorë, pasi kanë zgjedhur një gjykim të shpejtë, ndërsa më shumë se 80 të pandehur u shpallën të pafajshëm.
Forcat speciale dhe njësitë elitare goditën ‘Ndrangheta në dhjetor 2019, me rreth 3000 oficerë që bastisën 12 rajone italiane dhe gjithashtu kryen arrestime në Gjermani, Zvicër dhe Bullgari. Miliona euro prona dhe para të gatshme u sekuestruan, ndërsa 300 të dyshuar u arrestuan.
Kryeprokurori që drejtoi hetimin e madh ishte Nicola Gratteri, i cili organizoi ndërtimin e një salle gjyqi bunker për të zhvilluar gjyqin që do të hyjë në histori.
Gratteri, i cili është prokurori më i famshëm i Antimafias në Itali, jeton nën mbrojtjen e policisë prej 34 vitesh. Në fillim të seancës, ai tha për Sky News se nuk frikësohet nga kërcënimet e shumta me vdekje dhe komplotet për vrasje kundër tij.