Zyrtarë nga Lista serbe, kanë nisur të sfidojnë shtetin e Kosovës, edhe nga pozitat e reja në Qeverinë e re të drejtuar nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zyrtarë të saj vazhdimisht kanë deklaruar se nuk e njohin Republikën e Kosovës, madje asaj i referohen si “Kosova dhe Metohija”. Kjo është dëshmuar edhe dje, gjatë takimeve të zëvendëskryeministrit nga Lista Serbe dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, i cili ka hequr flamurin e Kosovës nga zyra e tij.
Sipas raporteve nga mediat serbe, flamuri i Kosovës nuk u pa në zyrën e Rakiqit, në takimet që ai pati me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë Natalia Apostolova.
“Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Goran Rakiq, hoqi nga kabineti i tij të ashtuquajturin flamur i Kosovës”, shkruan b92.
Sipas këtij mediumi, në dy takimet që Rakicq pati, me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë Natalija Apostolova, nuk kishte simbole të “të ashtuquajturës të shtetit të Kosovës”, të paktën sipas fotove zyrtare të dërguara në media nga Zyra për Media e kësaj ministrie.
Pritet të shihet nëse kryeministri Avdullah Hoti, do të shkarkojë nga pozita Rakiqin, i cili që në fillim ka thyer protokollin e shtetit të Kosovës, duke mos respektuar simbolet e tij.
Kujtojmë se kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ishte kritikuar ashpër pasi kishte ndërruar vendin e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi në kabinetin e saj. Veprimi i saj kishte nxitur edhe reagimin e Thaçit.
Mbetet për t’u parë nëse presidentit do t’ia tërheq vëmendjen edhe veprimi i zëvendëskryeministrit të ri nga Lista Serbe.
LDK-ja vazhdimisht është kritikuar për koalicionin me Listën Serbe, pasi zyrtarë të saj deri para pak kohe kishin deklaruar se një qeveri e varur prej tyre, nuk do të ishte stabile.