Grenell: Le të jemi të qartë, kokat bërthamore ishin ruse, jo ukrainase

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misionet speciale Richard Grenell, ka deklaruar se armët bërthamore që mbetën në territorin ukrainas pas rënies së BRSS, i përkisnin Rusisë dhe pretendoi se ky ishte një “fakt i pakëndshëm”.

“Le të jemi të qartë në lidhje me Memorandumin e Budapestit: kokat bërthamore ishin të Rusisë dhe ishin mbetje. Ukraina ia ktheu armët bërthamore Rusisë. Ato nuk ishin të Ukrainës. Ky është një fakt i pakëndshëm”, ka shkruar Grenell në X.

Steven Pifer, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe ekspert i armëve bërthamore, u përgjigj duke deklaruar se Grenell e ka “gabuar plotësisht”.

“Kam ndihmuar në negocimin e Memorandumit të Budapestit. Grenell e ka krejtësisht gabim. Kokat bërthamore në Ukrainë ishin ish-sovjetike, jo ruse. ICBM [raketat balistike ndërkontinentale] dhe bombarduesit u eliminuan në Ukrainë, përveç numrit të vogël të dërguar në Rusi për lehtësimin e borxhit”, shtoi ai.

Pifer theksoi se Ukraina kishte vendosur të dërgonte kokat bërthamore në Rusi për çmontim, kryesisht sepse Moska ishte zotuar të respektonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të mos përdorte forcë kundër Ukrainës.

Ai e këshilloi Grenellin të lexon historinë e plotë.

Më parë, ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton shprehu keqardhjen për rolin e tij në çarmatimin bërthamor të Ukrainës në vitet e 90-ta, duke sugjeruar se përndryshe Rusia mund të mos kishte nisur pushtimin në shkallë të plotë.

Në janar 1994, Clinton nënshkroi një marrëveshje trepalëshe me presidentët e atëhershëm të Rusisë dhe Ukrainës, Boris Yeltsin dhe Leonid Kravchuk, për eliminimin e arsenalit të armëve strategjike bërthamore që mbetën në territorin ukrainas pas rënies së BRSS.

Në dhjetor të të njëjtit vit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan gjithashtu Memorandumit të Budapestit, i cili përcaktonte detyrimin e Rusisë për të respektuar integritetin territorial të Ukrainës.