Gruaja e ‘hekurt’ holandeze që ‘fundosi’ krerët e drejtësisë shqiptare nga Zaganjori, Rovena Gashi tek Bashkim Dedja

Mia Roessingh-Bakels, gjyqtare penaliste në seksionin penal të Gjykatës së Apelit në Arnhem të Holandës, është prej dy vitesh pjesë e Operacionit Ndërkombëtar që monitoron Vetingun në Shqipëri. Prezenca dhe roli i saj në seancat dëgjimore dhe gjyqësore në dy shkallët e Vetingut, me pyetjet ‘gozhduese’, gjetjet, ndërhyrjet dhe rekomandimet, është kthyer në makth për gjyqtarët dhe prokurorët, gjatë betejave për t’u konfirmuar në detyrë.

Së bashku me Theo Jacobs, Mia Roessingh-Bakels, ka pasur rol vendimtar në rrëzimin e kokave të drejtësisë shqiptare në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Mia Roessingh-Bakels dhe Theo Jacobs kanë monitoruar procesin e ‘rrëzimit’ të sh-kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në Kolegj, duke mbrojtur rekomandimin e ONM për ta shkarkuar nga detyra. Zaganjori u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë), por ONM rekomandoi shkarkimin e tij për mosjustifikim të pasurisë, rekomandim i cili u konfirmuar si i drejtë nga Kolegji, i cili e shkarkoi ish-kryegjyqtarin nga detyra.

Mia Roessingh-Bakels ka ndjekur edhe procesin e rivlerësimit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja në të dy shkallët e Vetingut. KPK-ja e konfirmoi Deden në detyrë në qershor të vitit 2018. Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi shkarkimin e tij nga detyra, për kriterin e pasurisë. Gjatë seancës në Kolegj, u ngritën dyshime për një apartament 1+1, 60 m2 në Golem, Ky apartament ishte regjistrua në emër të vëllait të Dedes, Latif Dedja me banim në Dibër. Por që nga viti 2003, Dedja kishte ka një kontratë energjie elektrike me OSHEE dhe ka bërë pagesat e energjisë elektrike. Dedja tha sepagesat e energjisë elektrike ishin bërë nga ai për shkak se vëllai jetonte në Dibër dhe ai punonte në Durrës. Por, gjyqtarja holandeze i kujtoi Dedes se se të paguaje energjinë elektrike ishte një gjë, por kontrata në emër të tij me OSHEE ishte diçka tjetër. Dedja u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji.

LEXO EDHE:
Drejtoresha e spitalit të Durrësit: Ngrohja bëhet me kaldaja, dyshohet shkëndijë elektrike! Asnjë nga pacientët nuk është dëmtuar
Gjyqtarja holandeze ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kolegjin e Apelimit duke rrëzuar një nga pretendimet kryesore të prokurores Rovena Gashit për t’i shpëtuar shkarkimit me vendim të formës së prerës. Gashi kishte përfshirë në dosje një raport mjekësor i marrë dy ditë para datës së zhvillimit të seancës dëgjimore në KPK. Gashi e paraqiti këtë raport në Kolegj, për të konfirmuar se procesi ndaj saj nuk kishte qenë i rregullt. Por, vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessingh-Bakels i paraqiti Kolegjit një dokument me një sërë gjetjesh, të cilat hidhnin poshtë pretendimet e prokurores Rovena Gashi, e cila ka qenë drejtuese e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme. Rovena Gashi u shkarkua me vendim të formës së prerë.

Artur Malaj ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Administrative në Tiranë deri në tetor të vitit 2018, ndërsa ishte kandidat për për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Malaj u konfirmua në detyrë nga KPK, por gjyqtarja holandeze Mia Roessingh-Bakels, e cila kishte ndjekur dhe monitoruar procesin, rekomandoi shkarkimin e gjyqtarit nga detyra, duke paraqitur një sërë argumentesh, një pjesë prej të cilave u gjetën të drejta nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Kolegji vendosi të shkarkonte Malajn me argumentin se subjekti “nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurive të deklaruara, pasi ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur me të”.

Gjatë hetimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi parregullsi në pasurinë e gjyqtarit të Tiranës, Astrit Faqolli. Në vitet 2004-2005, ai i kishte deklaruar kursimet në lekë të vjetra. Gjyqtari e ka justifikuar këtë pjesë si një ngatërresë. Mia Roessingh-Bakels, e cila po monitoronte procesin, e ka pyetur gjyqtarin se si ka mundësi që ky ngatërrim ka ndodhur vetëm gjatë këtyre dy viteve dhe jo gjatë viteve të tjera. Megjithatë, KPK-ja e konfirmoi në detyrë Faqollin, por ai u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Po kush është Mia Roessingh-Bakels? Ajo e filloi karrierën e saj në vitin 1978 si bashkëpunëtore në një firmë ligjore ndërkombëtare në Rotterdam, pas përfundimit të studimeve të saj të drejtësisë në Universitetin Leyden dhe ka punuar si praktikante në një firmë botuese në Oksford, Britani të Madhe. Mia Roessingh-Bakels filloi punën e saj në gjyqësinë holandeze në vitin 1982 si një bashkëpunëtore e Byrosë shkencore e Gjykatës Supreme të Holandës. Ajo u bashkua me zyrat e Prokurorisë në Prishtinë në vitin 1986 dhe ka punuar për gjashtëmbëdhjetë vjet si Prokurore Publike në shkallë të parë dhe dy vitet e fundit si Avokate e Përgjithshme në Gjykatën e Apelit. Që nga viti 2002, ajo është gjykatëse në seksionin kriminal të Gjykatës së Apelit në Arnhem.

Që nga viti 2002, ajo ishte edhe zëdhënëse për Gjykatën e saj dhe ka qenë për pesë vjet kryetare e Asamblesë holandeze të gjykatësve të shtypit. Ajo është një eksperte për çështjet që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe mediat. Në atë cilësi ajo ka punuar për 2.5 vjet si eksperte kyçe në një projekt binjakëzimi në BE-Turqi në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet gjyqësorit dhe medias masive. Kjo zgjati deri në nëntor 2015. Gjatë këtyre viteve, ajo ka dhënë leksione rregullisht me të njëjtën temë, jo vetëm (për kolegët dhe studentë ndërkombëtarë) në Holandë, por edhe në Rusi dhe Poloni. Në vitin 2017 u emërua vëzhguese pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut në Shqipëri.