Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi në një postim të tij në Facebook, ka thënë se sinkronizimi Thaçi- Mustafa dhe Vuçic po vazhdon kundër shtetit për të krijuar një qeveri sefvile të përkrahur edhe me votën e Listës serbe.
Sipas Abazit, Veriu është ndarë nga Thaçi dhe ai e ka mbajtur të tillë për 20 vite.
Postimi i plotë:
Sinkronizimi Thaçi- Mustafa dhe Vuçic po vazhdon; komploti kundër shtetit me tendencën për të krijuar qeveri servile, kryeministër të kapur e pakurrizor të përkrahur edhe me votën e Listës Srpska.
Veriu që 20-vite është lënë që të përdoret si kartë për të mbuluar keqbërjen e tyre.
Veriu është i ndarë, sepse Thaçi e ka ndarë dhe e ka mbajtur të tillë për 20-vjet.
Mustafa ka qenë i vetmi ministër i financave, i cili me mandat kushtetutes ka mbledhur fondin e 3% dhe po ai, bashkë me Bukoshin, ato financa i kanë kthyer në OJQ të UFORK. Tani vazhdojnë me propagandë e në bashkërëndim me ata që po ashtu kanë keqpërdorur fondin “Vendlindja thërret”.
Këtyre nuk ju leverdis zbatimi i ligjit e as hapja e dosjeve nga e kaluara.
Të gjitha këto veprimet që po bëjnë janë kundër vullnetit të popullit, kundër interesit të shtetit të Kosovës dhe kundër projektit për shtet ligjor, demokratik, të zhvilluar e të integruar në strukturat Euro-Atlantike. Këta na kanë katandisur në këtë gjendje të mjerë.
Çfarë duan tani? Ta bëjnë edhe më keq nga ç’është, të përfitojnë akoma? Nuk munden më të mashtrojnë as popullin, as Evropianët e as Amerikanët.
Kosova dhe qytetarët në Jug dhe Veri flasin me dhe nëpërmjet qeverisë së tyre legjitime dhe kryeministrin Kurti.