Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se Vjosa Osmani nuk mund të konsiderohet më pjesë e LDK-së, përderisa “edhe zogjtë e dijnë për raportet e saj me Albin Kurtin”, kryeministrin në detyrë të Kosovës.
Rugova ka deklaruar sot se nuk ekziston asnjë standard botëror i njëjtë me sjelljen e kryetares së Kuvendit të Kosovës me partinë ku bën pjesë, në këtë rast me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Vjosa Osmani ka thënë se edhe zogjtë e dijnë për raportet e saj me Albin Kurtin dhe u kry puna. Ajo nuk është më në LDK dhe nuk ka asnjë standard në botë, e që ekziston, në të cilin mund të lejohet që dikush ta trajtojë atë [Vjosa Osmanin] në këtë formë”, ka thënë Rugova, në një deklaratë.
Insajderi ka kontaktuar Rugovën për të marrë një sqarim për deklaratën e tij. Ai ka thënë se deklarata e tij është e mbështetur në logjikën e funksionimit të partive politike dhe se formalisht nuk është marrë ende asnjë vendim.
Rugova ka thënë se e ardhmja e Vjosa Osmanit në LDK varet vetëm prej saj.
“Nuk ka asnjë plan [për largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja]. Unë kam folur logjikisht dhe kurgjë më tutje. E ardhmja e Vjosa Osmanit në LDK varet prej saj dhe jo prej nesh”, ka thënë Rugova në një bisedë telefonike me Insajderin.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-kandidatja për kryeministre e kësaj partie, Vjosa Osmani ka mbajtur pozicion të kundërt me atë të partisë lidhur me rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Ajo nuk e ka mbështetur as tentimin e LDK-së për formimin e një shumice të re parlamentare, pjesë e së cilës nuk do të ishte Lëvizja Vetëvendosje.