Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën i është përgjigjur, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili të premten e kaluar u ka kërkuar tri partive të tjera parlamentare koordinim e veprime konkrete për ta shpërndarë Kuvendin, hap që imponon zgjedhje të parakohshme.
Haradinaj ka thënë se rrugëdalja e vetëm nga kriza në vend, është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin.
“Në përgjigje të letrës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, shpreha qartë se rrugëdalja e vetme nga kriza në vend, është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin”, ka shkruar Haradinaj në përgjigjen që i ka dërguar Krasniqit.
Sipas Haradinjat kjo Qeveri duhet ta përmbyll mandatin me dorëheqje ose shkarkim.
“Kjo sepse Kurti dhe qeveria e tij, janë fajtore për gjendjen e krijuar, e në këtë kontekst, Aleanca nuk lëviz nga qëndrimi që kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me shkarkim, e jo të amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai në letër ka shprehur gatishmërinë takime të rregullta punë me të gjithë akterët opozitarë e për të gjitha temat me interes për vendin dhe ka theksuar se për Aleancën koordinimi ndëropozitar mbetet hap i duhur dhe i nevojshëm.
Edhe LDK-ja i është përgjigjur negativisht kërkesës së PDK-së. Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, të premten ka thënë se për çështjen e ngritur përgjigjen ia kanë dhënë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Dhjetë ditë më parë, kryeministri Kurti ftoi në një darkë kryetarët e partive opozitare, për të diskutuar rreth agjendës legjislative.
Atë e refuzuan kryetari i LDK-së dhe ai i AAK-së, ndërkaq kryetari i PDK-së i shkoi në takim, në të cilin paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme.
PDK-ja është pajtuar me kushtin e Kurtit që në zgjedhje të shkohet nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, por LDK-ja kërkon dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa AAK-ja shkarkimin nëpërmjet mocionit të mosbesimit.