Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, vlerësoi se Shqipëria duhet të përdorë mekanizmat e saj në arenën ndërkombëtare për të kundështuar çdo mekanizëm një-etnik që mund t’i ofrohet serbëve të Kosovës përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ish-kryediplomatja kritikoi pozicionin e shtetit shqiptar ndaj Kosovës, e cila ka sfida të rënda përpara, sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ratifikuar në Kuvend më 2013 e që njihet si marrëveshja e parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një marrëveshjeje ndërkombëtare.
“Përtej heshtjes, më e pakta që institucionet e Shqipërisë do të mund të bënin në këtë udhëkryq kombëtar është përkrahja ndërkombëtare kundër Asociacionit një-etnik & avokimi për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Serbi. Kaq e thjeshtë por kaq e ndërlikuar. Si përfunduam këtu?”, ka shkruar Haradinaj.
Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje Ndërkombëtare e vë Kosovën nën presion, në një kohë të papërshtatshme, kur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë zbatimin e saj.
Një propozim të ngjashëm e pati dhënë edhe Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, e cila tha se përveç SHBA-ve dhe BE-së, përkrah Kosovës do të jetë edhe Shqipëria, e cila do t’i ndihmojë në marrjen e vendimeve të vështira dhe arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në frymën e kompromisit.
“Ne e dimë që edhe Shqipëria do të jetë aty për t’i ndihmuar këto vende të marrin këto vendime të vështira. Por ne nuk mund t’ua imponojmë atyre. Ato duhet të duan atë të ardhme dhe të jenë të gatshme të marrin vendimet, që mund të duken të dhimbshme, nëse ajo është e ardhmja që duan”, nënvizoi ajo.
Ndryshe, emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen vullnet apo mënyrë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, administrata amerikane do të kërkojë “partnerë alternativë”, duke shtuar se një njeri nuk mund t’i ikë këtij obligimve të Kosovës. Në ndërkohë, në linjë me paralajmërimin e Escobar-it, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë do të organizojë më 31 janar një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike për diskutime më të detajuara lidhur me propozimet dhe përgatitjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.